English

Meta, Takime Me Kryetarët E Partive Politike Shqiptare Në Maqedoni

- Zv. Kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, z. Ilir Meta zhvilloi takime me Ali Ahmetin, Menduh Thaçin dhe Imer Selmanin -. TIRANE, 29 Korrik /ATSH/ - Gjatë vizitës zyrtare në Shkup, Zv/Kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta zhvilloi takime të veçanta me drejtuesit e partive kryesore politike shqiptare në Maqedoni. Fillimisht ai u takua me Ali Ahmetin, kryetar i Partisë Bashkimi Demokratik për Integrim, parti shqiptare, pjesë e koalicionit qeverisës në Maqedoni, ku u diskutua mbi marrëdhëniet dypalëshe Shqipëri-Maqedoni, Marrëveshjen e Ohrit dhe zhvillimet e tjera në vend dhe rajon. Meta vlerësoi pozitivisht ecurinë e zhvillimit të marrëdhënieve mes dy vendeve, të cilat mund të shërbejnë si shembull dhe model bashkëpunimi edhe për vendet e tjera të rajonit, ndërsa theksoi domosdoshmërinë që niveli aktual politiko-diplomatik i marrëdhënieve të pasohet nga një bashkëpunim më intensiv dhe më produktiv në fushat e ekonomisë, arsimit, kulturës, mjedisit, rendit dhe mbrojtjes. Gjithashtu u theksua nevoja e zgjerimit të bashkëpunimit në sigurimin e qarkullimit të lirë të qytetarëve, realizimin e aspiratave të përbashkëta për integrim në strukturat euroatlantike dhe intensifikimin e bashkëpunimit rajonal. Ahmeti pasi vuri në dukje se stabiliteti i Maqedonisë është shumë i rëndësishëm për stabilitetin e rajonit, theksoi se ka patur progres në drejtim të zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit, ndërsa tërhoqi njëkohësisht vëmendjen se është e nevojshme të përshpejtohen ritmet për zbatimin e plotë të saj. Meta dhe Ahmeti ndanë vlerësime të përbashkëta për zhvillimet në Kosovë e rajon dhe shprehën bindjen për domosdoshmërinë e realizimit të një bashkëpunimi të ngushtë institucional ndërmjet subjekteve politike shqiptare në Maqedoni, me synim forcimin e imazhit të faktorit shqiptar në rajon si faktor i rëndësishëm, konstruktiv për paqe, stabilitet dhe bashkëpunim. Zv. Kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta u takua edhe me Menduh Thaçin, kryetar i Partisë Demokratike Shqiptare, parti shqiptare në opozitë, me të cilin biseduan rreth marrëdhënieve mes dy vendeve, zhvillimet më të fundit në Maqedoni, procesin e zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit dhe për zhvillimet në rajon. Thaçi shprehu gjithashtu rezervat e PDSH-së lidhur me zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, ku vuri në dukje se faktori shqiptar në koalicionin qeverisës mund të luajë një rol nxitës në drejtim të zbatimit të kësaj marrëveshjeje. Thaçi konfirmoi angazhimin e PDSH-së për të kryer edhe më tej rolin e opozitës konstruktive në të mirë të stabilitetit të vendit dhe të avancimit të pozitës së shqiptarëve në shtet. Meta dhe Thaçi diskutuan mbi zhvillimet në Kosovë duke ndarë qëndrime të përbashkëta lidhur me rëndësinë e mendimit këshillimor të GJND-së, i cili konfirmoi përputhshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës me të drejtën ndërkombëtare. Gjithashtu shprehën angazhimin e përbashkët në mbështetje të shtetit të ri të Kosovës, institucioneve demokratike të tij dhe përpjekjeve të tyre për sigurimin e stabilitetit të brendshëm. Në fund, Zv. Kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta u takua me Imer Selmanin, kryetar i Partisë Demokracia e Re, me të cilin shkëmbyen mendime mbi ecurinë e marrëdhënieve dypalëshe, zhvillimet më të fundit në vend, zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe zhvillimet në rajon. Selmani bëri një pasqyrë të aktivitetit të Partisë Demokracia e Re, e cila po përpiqet të japë kontributin e saj konstruktiv në të gjitha zhvillimet në vend. Lidhur me Marrëveshjen e Ohrit, Selmani u shpreh se ka zhvillime pozitive në drejtim të përmirësimit të përfaqësimit të shqiptarëve në administratën publike, veçanërisht në organet e rendit dhe mbrojtjes, duke theksuar se atje ku ka vullnet, proceset përparojnë. Duke u ndalur në marrëdhëniet dypalëshe, u theksua nevoja e realizimit të një bashkëpunimi më të ngushtë ekonomik, që do të siguronte edhe një lidhje më të mirë të biznesit shqiptar me biznesin e shqiptarëve në Maqedoni. Gjatë të gjitha takimeve që Meta zhvilloi me përfaqësuesit shqiptarë në Maqedoni, theksoi nevojën e një bashkëpunimi më konstruktiv dhe më të ngushtë mes forcave politike shqiptare, në të mirë të të gjithë shqiptarëve që jetojnë në Maqedoni. Në përfundim të vizitës së tij zyrtare në Maqedoni, Zv. Kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta bëri një vizitë edhe në Qendrën Rajonale të MARRI-t si dhe në shtëpinë muze të Nënë Terezës në Shkup, duke vendosur edhe një tufë me lule pranë Monumentit të saj. /gj.m//n.m/
KOMENTE