English

Msh Dhe Rajoni I Toskanës Nënshkruajnë Marrëveshjen E Parë Të Bashkëpunimit

TIRANË, 29 Korrik/ATSH-Eriola Çuko/ - Ministria shqiptare e Shëndetësisë dhe Departamenti për Shëndetësinë i Rajonit të Toskanës (Itali) nënshkruan marrëveshjen e parë të bashkëpunimit dypalësh në fushën e shëndetësisë. Gjatë një vizite dyditore në Fierence (27-28 korrik), ministri shqiptar i Shëndetësisë, Petrit Vasili, nënshkroi me drejtoren e Departamentit për Shëndetësinë të rajonit të Toskanës, Daniela Scaramuccia, marrëveshjen për ndërtimin dhe zhvillimin e bashkëpunimit reciprok, me qëllim vlerësimin e cilësisë së shërbimeve shëndetësore për popullsinë. Marrëveshja, me kohëzgjatje trevjeçare, parashikon, ndër të tjera, shkëmbimin e ekperiencës në fushën e menaxhimit shëndetësor për strukturat e shërbimit shëndetësor shqiptar nga ekspertë të shërbimit shëndetësor rajonal të Toskanës, në koordinim shkencor me Universitetin e Firences. Për këtë marrëveshje bashkëpunimi u mor parasysh kërkesa për thellimin e ndërhyrjeve në mbështetje të procesit të reformës në sistemin shëndtësor shqiptar, manifestuar nga palët në kuadër të projektit "Asistencë në përcaktimin e aseteve institucionale qeverisëse dhe rajonale të shërbimeve sanitare dhe spitalore". Bazuar në marrëveshjen e nëshkruar, palët angazhohen për shkëmbim të informacioneve në shëndetësi, aktivitete informuese, takime të përbashkëta pune dhe realizimin e projekteve me interes reciprok, shkëmbim eksperiencash, shkëmbim praktikash të sukseshme mjekësore dhe modelesh organizative, por edhe të specialistëve, mjekëve, docentëve, kërkuesish shkencorë e punonjës të institucioneve. Kjo marrëveshje bashkëpunimi është në kuadër të Memorandumit midis Ministrisë italiane të Shëndetësisë dhe asaj shqiptare për bashkëpunim në shëndetësi dhe shkencat mjekësore, e firmosur në Tiranë në nëntor 2007. Rajoni i Toskanës është ndër më të mëdhatë dhe më të rëndësishmit në Itali./ch/
KOMENTE