Kurbin, 29 korrik, NOA – Pesë zyrtarë të lartë nga rrethi i Kurbinit janë vënë në pranga pas dyshimeve që mbërritën rreth tyre nga organi i akuzës për konsumimin e veprave penale të "Vjedhjes duke shpërdoruar detyrën në bashkëpunim”, "Shpërdorim i detyrës", si dhe "Falsifikim i dokumenteve".
Lajmi bëhet me dijeni prej burimeve zyrtare të prokurorisë për agjencinë e Lajmeve NOA, duke saktësuar se nga kryerja e këtij aktiviteti, personat e ndaluar i kanë shkaktuar një dem ekonomik shtetit në shumën prej 6 milionë lekësh, të përfituara nga ana e tyre.
I ndaluari i parë mësohet se është Gentian Rukaj, drejtor i zyrës vendore të punësimit Kurbin, ndërsa e dyta, Mirjeta Frrokaj, specialiste e pagesës, të cilët në bashkëpunim me njëri-tjetrin gjatë vitit 2008 dhe 2009 kanë krijuar dosje fiktive për persona që nuk ekzistojnë dhe për përfitim të pagesës së papunësisë, duke krijuar rreth tyre 85 dosje papunësie.
Mësohet se këta persona kanë bërë kuponat e pagesës së papunësisë e kanë xhiruar lekët e pagesës së papunësisë tek zyra e postës së Laçit, ku konkretisht, Rukaj në bashkëpunim me punonjësin e postës Gjon Sevgjinaj ka bërë të mundur që tek listë-pagesat e borderove
të personave fiktivë, të nënshkruanin persona të tjerë.
Nga ana tjetër, gjatë hetimit ka rezultuar se Klaudiana Rasha, arkiviste në Zyrën Rajonale të sigurimeve shoqërore Lezhë, ka arshivuar më pas lista të personave dosjet e të cilëve janë fiktive.
Ndërkaq, prokuroria bën me dije se hetimet për këtë çështje vazhdojnë dhe se ato po përqendrohen edhe ndaj personave të tjerë që dyshohet se kanë falsifikuar dokumente , duke bërë që të përfitojnë nga pagesat e papunësisë persona fiktivë.
n.e/NOA