English

Ndihma Ekonomike/ Naço: Rreth 4019 Familje Perfitojne Padrejtesisht Nga Ndihma Ekonomike

-Identifikohen 4019 familje abuzuese- TIRANE 29 Korrik/ATSH-Erla Gjikolli/- Shërbimit Social Shtetëror ka konstatuar rreth 4019 raste familjesh, që kanë përfituar në mënyrë abuzive dhe jashtë kritereve pagesën e ndihmes ekonomike. Drejtuesi i këtij institucioni, Mihal Naço tha sot për mediat se për këto shkelje, janë lënë detyra për largimin e menjëhershëm të këtyre familjeve nga skema e ndihmës ekonomike dhe janë propozuar masat përkatëse për personat përgjegjës. Për 6-mujorin e parë të këtij viti, janë propozuar gjithsejt 112 masa administrative, mes të cilave, 5 largime nga puna, 90 vërejtje me paralajmërim për largim nga detyra, 7 gjoba me nga një dhe dy paga për personat përgjegjës. Në këtë periudhë në skemën e ndihmës ekonomike u trajtuan rreth 97.274 familje nga të cilat, me ndihmë të pjesëshme 63.811 familje dhe të plotë, 33.463 familje. Një problem serioz që lidhet me rritjen e numrit të familjeve që trajtohen jashtë kritereve në skemën e ndihmës ekonomike, sipas Naços, është trajtimi me ndihmë ekonomike nga ana e këshillave te komunave, Bashkive të familjeve, nga buxheti i këtij granti si raste te veçanta në kundërshtim me Ligjin "Për ndihmën dhe shërbimet shoqërore". Kështu, vetëm për 6-mujorin e parë, nga 4019 familje të evidentuara si raste abuzive në skemën e ndihmës ekonomike, 1253 familje janë trajtuar nga këshillat Vendorë jashtë kritereve që përcakton kuadri ligjor. Nga këto, rreth 465 familje janë në Qarkun e Kukësit, 380 familje në Qarkun e Elbasanit, 166 familje në Qarkun e Dibrës, (ku vihet re se në këto qarqe 70 raste janë familje të anëtarëve të këshillit të komunave apo kryepleqve të fshatrave), 140 familje në Qarkun e Shkodrës, 93 familje në Qarkun e Gjirokastrës dhe 9 familje në Qarkun e Fierit. "Nga ana tjetër dhe pse i padukshëm, qëndron problemi i presionit që ushtrojnë kryetarët e njesive vendore ndaj administratorëve të ndihmës ekonomike, për të trajtuar me ndihmë ekonomike mjaft familje, që nuk përmbushin kriteret për t'u trajtuar me këtë pagesë", deklaroi Naço. Sipas tij, masat e propozuara nuk kanë munguar, por ato nuk janë egzekutuar nga titullarët e njësive të qeverisjes vendore. Rezulton se nga 112 masa administrative të propozuar nga inspektoriatet, janë ekzekutuar vetëm 8 masa nga këta titullarë. "Kjo shifër është tepër e vogël në raport me atë ç'ka kemi propozuar dhe kjo nxjerr në pah indiferencën e theksuar nga njësitë e qeverisjes vendore për të reflektuar lidhur me problematikat që kanë dalë nga inspektimet tona, në zbatim të legjislacionit të ndihmës ekonomike dhe pagesës së personave me aftësi të kufizuar", deklaroi Naço./ch/
KOMENTE