Fier, 29 korrik, NOA – Forcat e policisë së Fierit, kanë realizuar një operacion të koduar me emrin "Shkodrani”, përmes të cilit arrestuan 2 mjekë, të cilët jepnin leje paaftësie ndaj personave të ndryshëm, kundrejt marrjes së parave.
Ngjarja konfirmohet prej tyre për agjencinë e Lajmeve NOA, duke saktësuar se është shpallur në kërkim edhe kryetari i komisionit të trajtimit të Aftësive për Punë, i cili firmoste dhënien e invaliditetit kundrejt shumave të konsiderueshme të parave.
Mësohet se finalizimi i këtij operacioni u bë si rezultat i një hetimi disa mujor, ku për objekt ishte komisioni i trajtimit të Aftësive për Punë pranë drejtorisë së Sigurimeve Shoqërore të Fierit.
Në kuadër të tij, janë arrestuar në flagrancë Tushe Qalliu, 49-vjeç, mjeke me funksionin e anëtares së Komisionit të Paaftësisë për Punë dhe Leon Shpataraku, 45-vjeç, me profesion mjek-kirurg, me funksionin e anëtarit të këtij komisioni.
Ndaj tyre, u bë ekzekutimi i masës së arrestit "Burg pa afat", si dhe është bërë shpallja në kërkim e Stavri Furrxhiut, 66-vjeç, me profesion mjek-neuropsikiatër, në funksion të kryetarit të Komisionit të Paaftësisë për Punë.
Të tre këta persona, në periudha kohore të ndryshme dhe në bashkëpunim me njëri-tjetrin, duke shfrytëzuar funksionin e tyre, kanë përvetësuar shuma të ndryshme monetare në favor të dhënies së të drejtës për t’u trajtuar si të paaftë për punë nga Drejtoria e Sigurimeve Shoqërore.
Ndërkaq, materialet proceduriale i kaluan prokurorisë së Fierit për veprime të mëtejshme.
n.e/NOA