English

Procredit Bank Shënon Rritje Të Mëtejshme Në Tregun Shqiptar

-Intervistë eskluzive dhënë për ATSH-në, znj.Anila Denaj, Nëndrejtore e Përgjithshme e ProCredit Bank, Shqipëri - TIRANE, 29 Korrik /ATSH-E.Xhajanka/ - Anila Denaj, Nëndrejtore e Përgjithshme e ProCredit Bank, bazuar në eksperiencën e saj në fushën bankare, gjykon se rritja e numrit të kredive me probleme, mbetet çëshje e ditës për sistemin bankar. Referuar të dhënave të BSH-së, norma e kredive me probleme ose vonesa në pagesat e kësteve të kredise është rritur ndjeshëm për të gjithë sitemin bankar dhe kjo është një dukuri e pritshme, për arsyet e mungesës së likuiditetit dhe efekteve të krizës financiare. Ky tregues, referuar raportit të BSH-së për sistemin bankar shqiptar në dhjetor 2009, nga 10,5% është sjellë në nivelin e 12% ne maj 2010 pra 1.5% rritje. Ndërkohë në ProCredit Bank ky tregues nga 4.8% ka shkuar në 4.63 %, pra ka shënuar ulje kundrejt raportimeve të bankave të tjera. Duke argumentuar këtë fakt, ajo është e mendimit se kjo ka ardhur si rezultat i politikave të konsolidura konservatore ndër vite të Procredit Bank dhe zgjedhjes së klientit me të cilin bashkëpunon. "Politikat tona në lidhje me rikuperimin e vonesave janë shumë rigoroze. Ne bëjmë një ndjekje te kredisë në vonesë prej dites së saj te parë. Megjithatë për kreditë në vonesë me më shumë se 180 ditë duhet të ketë nje mbështetje më të madhe nga funksionimi më i shpejtë i gjykatave dhe zyrave të përmbarimit të cilat të jepnin mundësinë e rikuperimit të aseteve të lëna në kolateral në një kohë më të shkurtër dhe në vlerë reale. Ndërkohë funksionimi i agjencive private të përmbarimit do të krijonte një konkurencë dhe efiçencë më të lartë por edhe kosto. E rëndësishme është të jepet mesazhi për të gjithë kredituesit me vonesë në këtë nivel që detyrimi ndaj bankës duhet paguar edhe pse pas disa vitesh". Duke u ndalur në sfidat dhe objektivat për të ardhmen, Znj. Denaj rendit rritjen e portofolit të shëndetshëm dhe rikuperimin e vonesave të likuidimit që mbeten sfidat e ProCredit Bank për këtë vit. Përsa i përket depozitave, vemë re faktin se ato janë në rritje, ka likuiditete në treg dhe normat e interesit të depozitave janë ulur me nxitjen e marrë nga politikat e Bankës Qendrore. "Depozitat janë rritur, - thotë Denaj - por në rast se kjo depozitë, nuk kthehet në kredi kjo është një kosto financiare që do të ketë ndikimin e saj në aktivitetin e bankës. Viti 2010 është një vit i vështirë, me gjithë përpjekjet e qeverisë për të përballuar situatën e problemeve që konvergjojnë nga të ardhurat e emigrantëve, veçanërisht nga vendi fqinj grek. Në mbyllje te intervistës Denaj shprehet optimiste: - "Ne shpresojmë që vitin e ardhshëm situata e përgjithshme ekonomike të jetë më pozitive. Kjo do të varet shumë nga politikat dhe masat e marra në vijim nga qeveria për të nxitur investimet në sektorin privat si dhe për të ulur difiçitin buxhetor. Masat e marra së fundmi në këtë drejtim janë vlerësuar dhe shpresojmë në një gjallërim më të lartë të ekonomisë në të ardhmen që të rrisë punësimin dhe mirëqënien e individit." ProCredit Bank është një bankë e orientuar drejt zhvillimit dhe që ofron shërbim të plotë bankar. Fokusi i saj është dhënia e kredive për sipërmarrjet shumë të vogla, të vogla dhe të mesme, sepse jemi të bindur që këto biznese krijojnë numrin më të madh të vendeve të punës dhe i japin një kontribut thelbësor ekonomive në të cilat operojnë. Ndryshe nga bankat e tjera, banka nuk promovon kreditë konsumatore. Fokusi është të ofrojmë një shërbim bankar të përgjegjshëm dhe të krijojmë një kulturë kursimi tek klientët tanë. Aksionerët e ProCredit Bank presin një fitim të qëndrueshëm nga investimi, por nuk janë kryesisht të interesuar për maksimizimin afat shkurtër të fitimit. Banka investon shumë në trajnimin e personelit për të krijuar një mjedis pune të kënaqshëm dhe efikas, si edhe për t'u siguruar klientëve tanë shërbimin më miqësor dhe më konkurrues në treg. Banka dhe Aksionerët e saj ProCredit Bank Shqipëri u themelua në vitin 1995 si "Fondacioni për Sipërmarrje, Financë dhe Zhvillim" (FEFAD), ku 100% e kapitalit aksioner sigurohej nga KfW. Pavarësisht nga trazirat politike dhe ekonomike në vend, në vitin 1997 FEFAD-i arriti të ketë një performancë financiare të suksesshme dhe morri licencën bankare në vitin 1999, duke u kthyer kështu në FEFAD Bank. Aksionerët themelues të bankës ishin Fondacioni FEFAD, ProCredit Holding (atëherë e njohur si IMI), Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (EBRD), si dhe Korporata Ndërkombëtare Financiare. Këtyre aksionerëve iu bashkua edhe Commerzbank AG në vitin 2002. Këtë vit, ProCredit Holding forcoi edhe më tej pozicionin e saj në bankë duke blerë aksionet e EBRD-së. Kapitali i paguar është rritur vazhdimisht dhe aktualisht arrin në 15.8 milionë euro. Në vitin 2003, institucioni mori emrin "ProCredit Bank", duke reflektuar në këtë mënyrë lidhjen me grupin ProCredit./ch/
KOMENTE