Tiranë, 29 korrik, NOA – Selia rozë i ka dalë sot në mbrojtje kreut të shtetit, lidhur me akuzat e hapura kundër tij të artikuluara dje nga Partia Demokratike, lidhur me mos emërimin e kreut të ri të Gjykatës Kushtetuese, një luftë që nxorri hapur kundërshtitë mes PD-së dhe Presidentit.
Deputeti i PS-së, Saimir Tahiri deklaroi se “Dje, në përpjekjen e dëshpëruar për të shmangur vëmendjen e publikut nga kriza e vërtetë e transparencës së munguar mbi zgjedhjet e vjedhura e mbi ekonominë kapur nga e njëjta familje në pushtet, sidomos pas daljes me turp nga beteja antikombëtare për uzurpimin e shërbimit sekret, Sali Berisha ka hapur një krize të re me Presidentin e Republikës”.
Tahiri duke iu referuar debatit të kryesisë së PD-së me Presidentin, tha se “Shprehje e këtij konflikti është edhe kriza e hapur dje nga Sali Berisha mes pushtetit të vjedhur të 28 qershorit dhe Presidentit të Republikës”.
Nga selia rozë Tahiri i drejtoi një thirrje Presidentit Topi, që “të mos bjerë pre e shantazhit të Sali Berishës dhe të mos e tolerojë më tutje praktikën e gjuetisë së shtrigave ndaj kandidaturave, që nominon për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese e asaj të Lartë”.
Sipas Tahirit institucionet kushtetuese, dhe i gjithë sistemi gjyqësor, janë në krizë për të njëjtat shkaqe e për faj të Sali Berishës.
Tahiri nënvizoi se “Berisha edhe procesin e emërimit të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë e ktheu në një proces abuziv, duke shkelur Kushtetutën e marrë peng drejtësinë”.
Deputeti i Partisë Socialiste iu referua krizës politike të pazgjidhur ende pikërisht për shkak të transparencës së munguar të zgjedhjeve të 28 qershorit, duke ia faturuar moszgjidhjen e saj, interesave të errëta të Sali Berishës.
Sipas Tahirit Shqipëria është në krizë ekonomike, që thellohet dita-ditës po për këto interesa të errëta prej babëzisë së pushtetit për të grabitur çdo copë Shqipërie e çdo qindarkë të mundshme.
“Ky pushtet vodhi zgjedhjet për të vjedhur Shqipërinë e nënshtruar shqiptarët, të cilët po humbasin përditë vende pune e shpresa tek e ardhmja për shkak se qeverisen nga një pushtet në konflikt me kushtetutën, demokracinë e të ardhmen”, përfundoi deklaratën, deputeti Saimir Tahiri.
mit/NOA