English

PS: Ulja e normës së interesit e vonuar e pa efekt pozitiv në ekonomi

Tiranë, 29 korrik, NOA – Partia Socialiste e ka quajtur një përpjekje të dështuar për të ndihmuar pushtetin e Berishës, lëvizjen e guvernatorit Ardian Fullani, për uljen e normës së interesit me 0.25 përqind.

Duke iu përgjigjur vendimit të djeshëm të BSH-së, deputetja e PS-së, Mimi Kodheli deklaroi se “Ndërsa ne themi sot se ulja e normës së interesit, që lajmëroi guvernatori është jo vetëm shumë e vonuar, por nuk asnjë gjasë të ndikojë në përmirësimin e situatës ekonomike. Kriza e ka vënë poshtë vendin dhe e ka lënë prapa qeverinë, e cila nuk e ndjek dot ritmin e përshpejtuar të krizës, sepse kërkon ta fshehë atë ndërkohë, që vetëm grabit e dëmton për interesat e oborrit të pushtetit”.

Nënkryetarja e Komisonit të Ekonomisë, Mimi Kodheli, deklaroi nga selia rozë se “Ky vendim tregon se jo vetëm vendi është në një krizë të rëndë ekonomike, por se kjo është pranuar me fakte edhe pse jo me fjalë, nga ky pushtet, që vodhi zgjedhjet për të grabitur Shqipërinë”.

Kodheli paraqiti për mediat tri pikat kyçe, që dëshmojnë krizën ekonomike, atë që provojnë përditë në kurriz shqiptarët, një krizë për shkak të keqqeverisjes, të cilën dje, e pranoi edhe vetë guvernatori i Bankës së Shqipërisë.

Duke iu referuar deklaratës së guvernatorit Fullani, deputetja Kodheli citoi se kriza flet vetë ngase “Ecuria e konsumit të brendshëm është e ngadaltë; investimet private janë në rënie dhe reduktimi drastik i investimeve publike e ka tkurrur rëndshëm ekonominë”.

Sipas Kodhelit, nuk mund të ketë asnjë gjasë për demokraci funksionale, zhvillim mirëqenie dhe shtet të së drejtës për të gjithë, në një vend ku nuk bëhet transparencë për zgjedhjet, ekonominë, qeverisjen.

mit/NOA

KOMENTE