English

Rusi - Mot I Nxhehtë - Arrihet Rekord Tjetër Me Më Tepër Se 38 Gradë

MOSKË, 29 korrik /ATSH-AFP/ - Kryeqyteti rus, i përfshirë nga një mot i nxehtë i paprecedent që prej fillimit të muajit, regjistroi sot një temperaturë rekord prej 38,2 gradë Celcius, njoftuan shërbimet meteorologjike. "Stacioni kryesor meteorologjik regjistroi një temperaturë prej 38,2 gradë në orën 16:00 (12:00 GMT), njoftuan këto shërbime, pasi kanë bërë të ditur se termometri shënoi pak më parë 37,8 gradë. Bëhet fjalë për një rekord absolut që prej fillimit regjistrimit të temperaturave në Rusi përpara 160 vjetëve, që e thyen atë të regjistruar të hënën me 37,2 gradë në hije. Në rajonin e Moskës, temperatura iu afrua pragut të 39 gradëshit, konform parashikimeve të motit, sipas të cilave temperaturat pritet të bien me disa gradë ditët e ardhshme. Vala e paprecedentë e të nxehtit në Rusi dhe tymi i shkaktuar nga zjarret në rajon shkaktojnë një ndotje atmosferike në Moskë që e tejkaloi të mërkurën deri 10 herë normën e lejuar, njoftoi observatori për cilësinë e ajrit në kryeqytetin rus. Moti i nxehtë dhe thatësira në Rusi shkaktojnë edhe zjarre në pyje që sollën sot evakuimin e shtatë kampeve të pushimeve për fëmijë në rajonin Voronej, rreth 590 kilometra në veri të Moskës, njoftoi Ministria lokale e Situatave të Emergjencës. Mediat ruse kanë përmendur këto ditë fshatra të tërë të shkatërruar nga zjarri në disa rajone të vendit. /I.Pu.
KOMENTE