Tiranë, 29 korrik, NOA – Të përndjekurit politikë protestuan sot në sheshin Skënderbej, para vendit ku ndodhej më parë ish monumenti i diktatorit Enver Hoxha, i rrëzuar më 20 mars të vitit 1991.
Drejtuesi i Shoqatës mbarëkombëtare për integrimin e të përndjekurve, Besim Ndregjoni i kërkoi Bashkisë së Tiranës të ndërpresë punimet pikërisht në vendin e ish përmendores, ku sot është vendosur tabela që përmban bilancin e krimeve të komunizmit.
Ndërsa, kryetari i Qendrës së Rehabilitimit të torturës, Adrian Kati, tha gjatë kësaj proteste se vijimi i punimeve pranë vendit që të përndjekurit politikë e kanë shënjuar si vendin e kujtesës ndaj krimeve komuniste, është shenjë e mosrespektimit të kësaj shtrese të përvuajtur, që ka kontribuar në ardhjen e demokracisë në Shqipëri.
Të përndjekurit politikë të mbledhur në protestë nga i tërë vendi i kërkuan qeverisë mbrojtjen dhe ruajtjen e këtij memoriali të kujtesës historike.
Sipas të dhënave plot 6000 burra dhe gra u vranë dhe afro 50 mijë familje u syrgjynosën, dënuan dhe internuan politikisht gjatë viteve të dikaturës komuniste në Shqipëri.
Kreu i Shoqatës, Besim Ndregjoni në këtë kontekst kërkoi që në këtë vend ku më parë ndodhej monumenti i diktatorit, të ndërtohet memoriali i viktimave të komunizmit, duke iu referuar kryeqyteteve perëndimore që e kanë një të tillë, si Berlini, Bukureshti, e të tjerë.
mit/NOA