Durrës, 29 korrik, NOA – Forcat e policisë së Durrësit kanë arrestuar në flagrancë, 17-vjeçarin me inicialet T.Ç., lindur në Dorjan të Burrelit dhe banues në Durrës.
Lajmi konfirmohet prej tyre për agjencinë e Lajmeve NOA, duke saktësuar se arrestimi i këtij personi u bë për arsye se dje në mesditë, në mes të qytetit bregdetar, pas një konflikti për motive të dobëta, ai ka tentuar të vrasë me thikë 16-vjeçarin me inicialet R.K., edhe ky lindur dhe banues në Durrës.
Aktualisht, i dëmtuari ndodhet i shtruar në spitalin e Durrësit jashtë rrezikut për jetën, ndërsa i janë shkaktuar dëmtime në pjesën e barkut dhe të kurrizit.
Ndërkaq, pas ngjarjes, autori i dyshuar i saj është larguar për t’iu shmangur hetimit dhe kapja e tij është bërë e mundur më pas nga shërbimet e policisë.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua thika me të cilën është kryer krimi, kurse materialet për veprat penale të “Vrasje me dashje mbetur në tentativë” dhe “Mbajtje pa leje e armëve të ftohta”, iu kaluan për ndjekje prokurorisë së Durrësit.
n.e/NOA