English

Territoret Palestineze - Mbajtja E Bisedimeve Të Drejtpërdrejta Varet Nga Izraeli

RAMALLAH, 29 korrik /ATSH-AFP/ - Palestinezët përsëritën sot kërkesat që kushtëzojnë pjesëmarrjen e tyre në bisedime paqeje të drejtpërdrejta me Izraelin dhe shprehën kënaqësinë për mbështetjen e ideve të tyre nga ministrat e Jashtëm arabë. Sipas bashkëpunëtorëve të afërt të presidentit të Autoritetit palestinez Mahmud Abas, ministrat e Lidhjes Arabe të mbledhur sot në Kajro ranë dakord me presidentin Abas i cili kërkon përfundimin e kolonizimit hebre dhe garanci për kufijtë e shtetit të ardhshëm palestinez, si kusht paraprak për bisedime të drejtpërdrejta. "Aprovimi nga arabët i bisedimeve të drejtpërdrejta i referohet një letre dërguar presidentit Barak Obama nga komiteti i Lidhjes Arabe për procesin e paqes", i deklaroi AFP-së zëdhënësi i Autoritetit palestinez, Bail Abu Rudeina, i cili u pyet me telefon që nga Amani, në Jordani. "Qëndrimi i palestinezëve u mbështet nga arabët dhe komuniteti ndërkombëtar dhe presim një përgjigje izraelite që do të bëjë të mundur garantimin e një atmosfere të përshtatshme për bisedime të drejtpëdrejta", shtoi ai. Negociatori kryesor palestinez, Saëb Erakat, i cili ndodhet gjithashtu në Aman, u shpreh për AFP-në se "arabët kanë kërkuar në letrën për Obamën një shtet palestinez në kufijtë e vitit 1967 me shkëmbime territoriale të pranuara nga të dy palët, si dhe që t'i jepet fund kolonizimit izraelit në territoret e pushtuara. Izraeli ka pushtuar gjatë luftës izraelito-arabe të qershorit të vitit 1967 Cisjordaninë dhe pjesën lindore me shumicë arabe të Jerusalemit, që palestinezët e konsiderojnë si kryeqytet të shtetit të tyre të ardhshëm. Shteti hebre e konsideron të gjithë qytetin e shenjtë i kryeqytetin e tij të pandashëm. Ai ka aneksuar sektorin lindor të Jerusalemit dhe ka ndërtuar rreth 10 lagje hebreje, por ky aneksim nuk është njohur asnjëherë nga komuniteti ndërkombëtar. /I.Pu.
KOMENTE