English

Tiranë, Prezantohet Plani I Ri Për Parkimin Publik

TIRANË 29 Korrik/ATSH, Gjergji Mima/ - Bashkia e Tiranës prezantoi sot planin për parkimin publik në kryeqytet, që pritet të zbatohet nga data 15 gusht, prej nga pritet lehtësim i trafikut të tejngarkuar në Tiranë. Drejtori i sektorit të transportit teknik në bashki, Enton Punavija tha se projekti synon lehtësimin e trafikut. "Plani parashikon që të ngrihet një sistem i ri i administrimit të parkimit, ku të ndahet sistemi i shitjes së biletës nga sistemi i kontrollit. Qytetarët që do të parkojnë në vende të caktuara, si parkim publik me pagesë, duhet të shkojnë në pika të caktuara, të marrin biletën, me të cilën të vendosin muajin, ditën dhe orën ku ndodhen për ta vendosur tek pjesa e brendshme e xhamit", thekson Punavia. Burime nga Bashkia e Tiranës, shtojnë se, "strukturat e Policisë Bashkiake që bëjnë kontrollin ose konstatojnë se qytetari i cili ka parkuar nuk ka prerë biletën përkatëse, marrin masat përkatëse administrative, deri heqjen e mjetit me karroatrec. Biletat do të vihen në disa pika të caktuara, rreth e rrotull zonave të administrimit të parkimit me pagesë, pra janë pika të cilat ndodhen pikërisht aty ku ndodhen vendet e parkimit me pagesë". Nga Bashkisë e kryeqytetit, bëhet e ditur se ky sistem do të aplikohet fillimisht tek bulevardi "Dëshmorët e Kombit" dhe tek sheshi "Italia". Projekti synon evitimin e ndotjes urbane të Tiranës dhe lehtësimin e trafikut në zonat më vitale të kryeqytetit. Tarifa e parkimit është 100 lekë të reja. Projekti është parashikuar të shtrihet në të gjithë qytetin./n.m/
KOMENTE