Topi Vlerëson Kontributin E Fondit Shqiptaro-Amerikan Të Sipërmarrjes
- Gjatë një takimi me drejtuesin e Bordit të Fondit Shqiptaro-Amerikan të Sipërmarrjes, Majkëll Granof -
TIRANË, 29 Korrik/ATSH/.- Presidenti i Republikës, Bamir Topi vlerësoi sot kontributin dhe mbështetjen e Fondit Shqiptaro-Amerikan të Sipërmarrjes në projektet e zhvillimit në Shqipëri, gjatë takimit me drejtuesin e Bordit të këtij Fondi, Majkëll Granof .
Sipas njoftimit për shtyp nga Presidenca, Kreu i shtetit vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera me SHBA-në, ndihmesën e pakursyer dhe mbështetjen e gjithanshme që ky vend i ka dhënë Shqipërisë për forcimin e demokracisë e shtetit të së drejtës. Ai vuri në dukje kontributin e shquar dhe arritjet e Fondit Shqiptaro-Amerikan të Sipërmarrjeve në këto drejtime.
Presidenti Topi, pasi bëri një përshkrim të shkurtër të situatës politike në vend, nënvizoi bindjen se institucionet shqiptare do të vazhdojnë të punojnë me vendosmëri për të rritur zhvillimin ekonomik dhe për të përmbushur aspiratat integruese të qytetarëve të Shqipërisë.
Nga ana e tij, Drejtuesi Bordit të Fondit Shqiptaro-Amerikan të Sipërmarrjes, Majkëll Granof nënvizoi miqësinë tradicionale e historike mes SHBA-së dhe Shqipërisë, tashmë edhe si aleatë në NATO. Ai e njohu Presidentin Topi me ecurinë e projekteve dhe planeve të ardhshme të Fondit për zhvillimin e mëtejshëm të ekonomisë dhe sipërmarrësve shqiptarë, të financimit të projekteve të rëndësishme në arsim dhe në përgatitjen cilësore e profesionale të të rinjve, bazuar në përvojën amerikane. /a.s/