Tropojë: Mbi 1000 Pushues Çdo Ditë Në Valbonë
TROPOJË, 29 korrik /ATSH-R.Hoxha/ - Numri i pushuesve në luginën e Valbonës gjatë muajit korrik ka qenë i tillë saqë një pjesë e tyre e kalojnë natën në çadra.
"Mesatarisht çdo ditë janë të pranishëm në Valbonë mbi 1000 pushues, kryesisht kosovarë (mbi 800), por dhe mbi 200 të huaj si gjermanë, izraelitë, anglezë etj", thotë kryetari i komunës së Margegajt, Rexh Biberaj.
Sipas tij, ky është viti i parë me një fluks që e ka bërë të pamundur strehimin e turistëve. Një pjesë e turistëve e sjellin vetëm edhe ushqimin e çadrat për strehim.
Valbona ka aktualisht në dispozicion të turizmit vetëmv 100 shtretër, ndërsa pjesa tjetër e pushuesve e kalojnë natën ose në çadra, ose nëpër familjet e fshatit.
Një pjesë e kalojnë gjithë natën jashtë, duke kënduar. "Një pjesë e mirë e pushuesve nga Kosova vijnë për një natë", thotë Biberaj.
Nisur nga fluksi në rritje i pushuesve, nga banorët kërkesa e vetme është ndihma përmes dhënies së kredive me interest ë ulët për zgjerimin e mjediseve turistike.
Në 6 muajt e parë të vitit në zonën e Valbonës ka patur mbi 18 mijë vizitorë, rreth 3 mijë më shumë se vitin e kaluar për të njëjtën periudhë./ch/