English

Tropojë: Ndalohet Për Vjedhje, Pranon Se Ka Mbjellë Edhe Bimë Narkotike

TROPOJË, 29 Korrik /ATSH-R.Hoxha/- Një person i ndaluar nga policia për vjedhje, gjatë hetimeve pranoi se kishte kultivuar edhe bimë narkotike në tokën e tij. Sipas burimeve zyrtare, mesnatën e shkuar policia e Tropojës arrestoi Demir Neçajn, 24 vjeç, nga fshati Peraj komuna Lekbibaj, Tropojë, i kërkuar nga policia e qarkut të Shkodrës si i dyshuar për vjedhjes me dhunë në bashkëpunim. Sapo është ndaluar ai u ka deklaruar forcave të policisë se në tokën e tij në fshat ka mbjellë edhe një sasi bimësh narkotike kanavis sativa. "Në vendngjarje kanë shkuar forcat e policisë së bashku me personin e ndaluar ku ka rezultuar se ai kishte mbjellë 125 rrënjë bimë narkotike", tha për ATSH-në drejtori i drejtorisë së policisë së qarkut të Kukësit, Sadri Ramcaj. Bimët narkotike u asgjësuan. Zona e Lekbibajt në vitet e shkuara ka qenë e njohur për kultivimin e kanabisit. Vetëm vitin e kaluar u korrën nga poliçia mbi 9500 rrënjë kanabis sativa, të mbjella kryesisht në toka pa pronar. Ky është rasti i parë që një person pranon se ka mbjellë në tokën e tij bimën narkotike./ch/
KOMENTE