Vlore: Shkarkohet Kryetari I Keshillit Te Qarkut, Agron Sharra, Zevendesohet Nga Ylli Piro
VLORE, 29 korrik/ATSH-H.Koçi/.- Në një mbledhje të jashtëzakonshme të thirrur nga Prefekti Hasan Halili, Këshilli i Qarkut të Vlorës shkarkoi kryetarin Agron Sharra, duke zgjedhur dhe pasardhësin e tij në këtë detyrë, Ylli Piro, kryetar i deges se PD-se per Saranden.
Në këtë mbledhje, që u kërkua nga 33 këshilltarë të djathtë përmes një mocioni mosbesimi për Sharrën, merrnin pjesë edhe përfaqësuesit e spektrit politik të majtë, të cilët e kundërshtuan mocionin dhe procedurat e votimit për shkarkimin e Sharrës.
Përfaqësuesit e grupit të këshilltarëve të djathtë në Këshillin e Qarkut argumentuan mocionin e mosbesimit që, sipas tyre, bazohet tek një sërë shkeljesh ligjore të kryera dhe të konstatuara gjatë tre viteve të fundit, për të cilat ata bënë përgjegjës kryetarin Sharra.
Ata shtuan gjithashtu se, Këshilli i Qarkut nuk ka funksionuar në përputhje me atributet dhe në zbatim të politikave të zhvillimit në nivel vendor.
Në përfundim të procesit të votimit, pa praninë e përfaqësuesve të majtë, Agron Sharra u shkarkua nga funksoni i kryetarit të Këshillit të Qarkut me 37 vota, aq sa ishte numri i këshilltarëve të pranishëm. /a.ke/