Zvicra Mbeshtetet Fazen E Dyte Te Projektit Për Bujqësinë Organike Në Shqipëri
TIRANE, 29 Korrik /ATSH-E.Xhajanka/- Qeveria zvicerane do të financojë fazën e dytë të projektit SASA me vlerë mbi 1, 7 milionë franga zvicerane për zhvillimin e bujqësisë së vazhdueshme në Shqipëri dhe atë organike, që vlerësohet mjaft i rëndësishëm për zvillimin rural.
Ministri i Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, Genc Ruli dhe ambasadorja e Zvicrës në Tiranë, Yvana Enzler, nënshkruan të enjten në mjediset e ministrisë, marrëveshjen e bashkëpunimit për zbatimin e projektit "Për Mbështetjen e Vazhdueshme në Shqipëri (SASA)", faza e dytë. Në këtë ceremoni ishte dhe Drejtori i Zyrës së Bashkëpunimit Zviceran, Z. Daniel Züst, përfaqësues nga projekti SASA, etj.
Ministri Ruli vlerësoi përpjekjet për vendosjen në radhët e para të prodhimit cilësor organik bujqësor, me nxitjen dhe mbështetjen e projekteve të financuar nga donatorët.
"Bujqësia organike është një sektor prioritar dhe i rëndësishëm për zhvillimin rural të vendit. Në këtë kontekst zbatimi i këtij projekti do të synojë të rrisë cilësinë dhe standardet e produkteve organike", tha Ruli, duke vlerësuar përpjekjet për vendosjen e prodhimit cilësor dhe organik dhe përkushtimin e Qeverisë për zhvillimin e sektorit bujqësor.
"Tashmë kemi institucione të vendosura dhe është koha t'i bëjmë që të punojnë në favor të biznesit dhe të bujqësisë", tha ministri Ruli, që siguroi se ministria do të japë të gjithë mbështetjen e nevojshme me synim që të shohë rezultate më të mira tek fermerët dhe agrobizneset.
Ndërsa ambasadorja Enzler u shpreh se "Ne kemi si vizion që në mbylljen e fazës së re, të ketë më shumë mundësi tregu për produktet cilësore dhe organike, rritje të aksesit ndaj inputeve organike dhe praktikave të menaxhimit të cilësisë, dhe konkurrueshmëri të rritur të bujqësisë organike".
Ajo theksoi faktin që gjatë fazës së parë, projekti vendosi për herë të parë dhe me sukses lëvizjen organike në Shqipëri si dhe ngriti institucione që japin shërbime për bizneset, siç është Albinspect.
"Marrëveshja e sotme na ndihmon që të arrijmë këto rezultate dhe na ndihmon që të realizojmë vizionin tonë", tha Zj. Enzler.
Në fazën e parë, projekti "Për Mbështetjen e Vazhdueshme në Shqipëri (SASA)", përveç vendosjes së lëvizjes për bujqësinë organike në Shqipëri, ka rritur ndërgjegjësimin e Qeverisë mbi rëndësinë e bujqësisë organike dhe ka ndihmuar në zhvillimin e tregut vendas për produkte organike të çertifikuara.
Gjatë fazës së re, projekti do të synojë të rrisë efiçiencën e shërbimeve ndaj biznesit në lidhje me produktet cilësore dhe organike dhe do të zgjerojë mundësitë e tregut për produkte organike të prodhuara në Shqipëri. Në fokus do të jetë rritja e preferencave të konsumatorëve vendas për produkte shqiptare./n.m/