English

Anketa, maqedonasit: Nuk duam të na e ndryshojnë emrin

Shkup, 30 Korrik, NOA – Qytetarët e Maqedonisë paraqiten kundër idesë së ndryshimit të emrit për vendin e tyre, edhe pse kjo paraqitet si një ndër kushtet për anëtarësim të shpejtë në Bashkimin Evropian dhe Aleancën e Atlantikut të Veriut.

Një fakt të tillë e pohojnë rezultatet e një anketimi të zhvilluar nga Instituti Pavell Shatev, sipas të cilit, më shumë se gjysma e qytetarëve të Maqedonisë do të votonin kundër në qoftë se mbahet referendum për ndryshim të emrit.

Duke marrë në shqyrtim mendimin publik të maqedonasve, ky institut ka nxjerrë përfundimit se maqedonasit janë të mendimit se identiteti dhe krenaria e tyre kombëtare, vlejnë më shumë se aderimi në BE apo NATO.

Kështu, pyetjes se nëse nesër mbahet referendum për ndryshim të emrit me qëllim që Maqedonia të anëtarësohet në BE dhe NATO, 54.7% e qytetarëve i janë përgjigjur se do të votonin kundër, ndërsa 30.7 % janë shprehur se mund ta pranojnë idenë e ndryshimit të emrit.

Anketa u realizua prej datës 11 deri më 18 të këtij muaji me 1100 qytetarë të përkatësive të ndryshme etnike, mes tyre edhe shqiptarë.

n.e/NOA

KOMENTE