Barcelonë, 30 korrik, NOA – Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, zhvilloi sot një vizitë zyrtare në selinë e Sekretariatit të Përgjithshëm të Bashkimit për Mesdheun, në Barcelonë, ku u prit nga Sekretari i Përgjithshëm i BpM-së, z. Ahmad Masadeh.
Fillimisht ministri Meta përshëndeti diplomatin e këtij sekretariati për Mesdheun, duke e siguruar atë, për mbështetjen e gjithanshme dhe të fuqishme të Shqipërisë në kryerjen e detyrës së tij të re.
Meta shprehu angazhimin e tij, se do të japë ndihmesën e vet për funksionimin e Sekretariatit të Përgjithshëm, duke kontribuar me personel dhe mbështetje financiare.
“Shqipëria është e gatshme të luajë një rol sa më aktiv në gjirin e BpM-së dhe për këtë ofrohet të jetë vendi pritës i takimeve në nivel ministrash në të gjitha fushat e veprimtarisë, si energji, bujqësi, mjedis, turizëm etj”, i tha zëvendëskryeministri Meta, sekretarit të Përgjithshëm, të PpM-së.
Sipas Metës, kjo vizitë është shprehje e dimensionit mesdhetar të politikës së jashtme të Shqipërisë, pasi përbën prioritet integrimi në strukturat evropiane.
Nga ana e tij, Ahmad Masadeh, u shpreh se “takimi në selinë e Sekretariatit të Përgjithshëm të Bashkimit për Mesdheun, ka një vlerë të dyfishtë, pasi ka një vlerë simbolike për ne, duke qenë se ju jeni i pari ministër i Punëve të Jashtme i një vendi anëtar të BpM-së, që vizitoni selinë e re të Sekretariatit dhe, së dyti, kjo vizitë është shprehje e vullnetit të Shqipërisë në mbështetje të veprimtarisë së Sekretariatit, por edhe të bashkëpunimit me BpM-në dhe vendet anëtare, si në rrafsh shumëpalësh ashtu edhe dypalësh”.
Zoti Masa’deh e siguroi zëvendëskryeministrin Meta se “roli dhe kontributi i Shqipërisë janë të mirëpritur dhe të vlerësuara në të gjitha nivelet e veprimtarisë së Bashkimit për Mesdheun”.
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm Ilir Meta në fund të takimit e ftoi sekretarin e Përgjithshëm të Bashkimit për Mesdheun, Ahmad Masa’deh, të vizitojë Shqipërinë, një ftesë e mirëpritur nga ky i fundit.
mit/NOA