Barcelonë, 30 Korrik, NOA – Zv/kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, zhvilloi sot një vizitë zyrtare në selinë e Sekretariatit të Përgjithshëm të Bashkimit për Mesdheun në Barcelonë, ku u prit nga sekretari i këtij organizmi, Ahmad Masadeh.
Në hyrje të takimit, Meta u shpreh se Shqipëria është e gatshme të luajë një rol sa më aktiv në gjirin e Bashkimit për Mesdheun dhe për këtë ofrohet të jetë vendi pritës i takimeve në nivel ministrash në të gjitha fushat e veprimtarisë, si energji, bujqësi, mjedis, turizëm etj.
Meta i shprehu më tej sekretarit të Përgjithshëm të BpM, faktin se kjo vizitë është shprehje e dimensionit mesdhetar të politikës së jashtme të vendit tonë.
Sipas tij, edhe pse për Shqipërinë përbën prioritet integrimi në strukturat europiane, ajo e sheh angazhimin në BpM si një vlerë të shtuar të politikës sonë të jashtme.
Nga ana e tij, Ahmad Masadeh u shpreh se është një nder dhe kënaqësi e veçantë për mua t’ju pres sot në selinë e Sekretariatit të Përgjithshëm të Bashkimit për Mesdheun. “Vizita juaj, - tha Masa’deh, - ka një vlerë të dyfishtë: së pari, ajo ka një vlerë simbolike për ne, duke qenë se ju jeni i pari ministër i Punëve të Jashtme i një vendi anëtar të BpM-së që vizitoni selinë e re të Sekretariatit dhe, së dyti, kjo vizitë është shprehje e vullnetit të Shqipërisë në mbështetje të veprimtarisë së Sekretariatit, por edhe të bashkëpunimit me BpM-në dhe vendet anëtare si në rrafsh shumëpalësh ashtu edhe dypalësh”.
Në fund, Masa’deh e siguroi Metën se roli dhe kontributi i Shqipërisë janë të mirëpritur dhe të vlerësuar në të gjitha nivelet e veprimtarisë së Bashkimit për Mesdheun.
n.e/NOA