Tiranë, 30 korrik, NOA - Kryeministri Sali Berisha priti sot në një takim Drejtorin Ekzekutiv të Këshillit Kombëtar Amerikano-Shqiptar (NAAC), Avni Mustafaj.
Kryeministri Berisha i shprehu zotit, Avni Mustafaj mirënjohjen dhe vlerësimin e lartë për të gjithë kontributin e vyer, rolin thelbësor dhe të jashtëzakonshëm të NAAC, por edhe të të gjithë diasporës shqiptare në SHBA, që duke mbajtur gjallë shpirtin e shqiptarizmit si në të shkuarën, vijon rolin e saj në zhvillimet demokratike.
Temë kryesore e kësaj bisede ishte vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për pavarësinë e Kosovës, për të cilën kryeministri Berisha theksoi se ky vendim përbën për të gjithë shqiptarët fitoren më të rëndësishme në historinë e tyre, shpërblimin më të madh dhe mirënjohjen më të thellë ndaj të gjithë atyre, që me sakrificën sublime, me luftën dhe përpjekjet e tyre, bënë të mundur pavarësinë e Kosovës.
Shefi i qeverisë, në këtë kontekst, shprehu vendosmërinë e qeverisë shqiptare për të dhënë gjithë kontributin e saj për një kapitull të ri në historinë e marrëdhënieve midis serbëve dhe shqiptarëve, në marrëdhëniet midis Tiranës dhe Beogradit, si dhe të ndihmojë, me aq sa ka mundësi, në marrëdhëniet midis Prishtinës dhe Beogradit.
Avni Mustafaj duke evidentuar arritjet e mëdha dhe më të fundit të Shipërisë, e falënderoi sakaq kreun e qeverisë shqiptare dhe kabinetin e tij, për kontributin e jashtëzakonshëm dhe për të gjitha përpjekjet në njohjen e pavarësisë së Kosovës. Kryeministri Sali Berisha e njohu drejtorin Ekzekutiv, të NAAC-së, Avni Mustafaj edhe me reformat politike dhe ekonomike, që ka ndërmarrë Shqipëria në kuadër të plotësimit të kritereve për liberalizimin e vizave dhe integrimin e vendit në BE.
mit/NOA