English

Bumçi: Rama Të Kompesojë Pronarët E Ligjshëm Pastaj Të Ndërtojë Shkolla

TIRANË, 30 Korrik / ATSH/ - Deputeti i PD-së Aldo Bumçi i kërkoi të premten kryetarit të Bashkisë, Edi Rama që "të kompesojë pronarët e ligjshëm pastaj të ndërtojë shkolla". Në një prononcim për mediat, gjatë inspektimit në zonën e repartit ushtarak në Kodër- Kamëz, Bumçi tha se, "është e trishtë që z. Rama po shpalos një mentalitet komunist që ne menduan se e lamë pas". "Z. Rama nuk është hera e parë që shpalos këtë mentalitet komunist, por e ka bërë këtë gjë edhe me zona të tjera të Tiranës, ku ka zgjeruar rrugë ose për vepra të tjera publike, por pa kompesuar pronarët", tha Bumçi. Sipas tij, " ligji e lejon për çdo vepër publike të kompesosh me çmimin e tregut pronarët". Ai shtoi më tej se, "ne jemi të interesuar për të ndërtuar shkolla në Tiranë dhe për këtë arsye i kemi dhënë bashkisë së Tiranës 18 milionë euro. Bashkia nuk ka arritur të shfrytëzojë këtë fond sepse nuk gjen dot truall, kur koston e shkollës e merr përsipër qeveria nga fillimi deri në fund". Të pranishëm në këtë inspektim ishin dhe banorë të zonës, të cilët u shprehën se janë dakort me vendimet e bashkisë së kryeqytetit, por si fillim ajo duhet të realizojë kompesimin e pronarëve të dalë nga proçesi i privatizimit. Reparti ushtarak në Kodër- Kamëz ka hapur një sërë polemikash mes Bashkisë së Tiranës, Ministrisë së Mbrojtjes dhe Ministrisë së Ekonomisë. Sipas Bashkisë privatizimet që po realizohen në këtë zonë janë abuzive./ch/
KOMENTE