Londër, 30 Korrik, NOA - Ministri britanik për Evropën, David Lidington, thotë për BBC-në se opinioni i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë javën e kaluar i dha fund çdo lloj argumenti për statusin e Kosovës.
Ai tha se Serbia nuk duhet të vazhdojë më tej me këtë çështje por duhet të angazhohet në një dialog konstruktiv me Kosovën fqinje për zgjidhjen e çështjeve praktike.
Zoti Ministër, cili është vlerësimi juaj për reagimin e Serbisë pas shpalljes së mendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë javën e kaluar për ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës.
Unë e kuptoj që Serbia është tronditur nga opinioni i gjykatës, aq më tepër që ishte vetë Serbia që e paraqiti kërkesën pranë Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Megjithatë, shpresoj që Beogradi ta pranojë se vendimi i gjykatës ishte shumë i qartë, se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk përbën shkelje të së drejtës ndërkombëtare. Prandaj, unë besoj se ky moment duhet të shënojë fundin e çdo mosmarrëveshjeje për statusin e Kosovës. Kosova është një realitet si shtet i pavarur. Ajo është njohur nga shumica dërrmuese e fqinjëve të saj, si dhe nga shumica e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian. Ne parashikojmë që ky proces të vazhdojë me njohjen e Kosovës nga vende të tjera, tashmë që ato e kanë parë opinionin e shprehur nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë. Shpresoj që Beogradi të mos e ndjekë më tej këtë çështje dhe të hedhë hapa për një dialog konstruktiv me Kosovën për të bashkëjetuar në paqe.
Megjithatë, parlamenti në Beograd miratoi thuajse unanimisht strategjinë e qeverisë për hapat e mëtejshëm për Kosovën dhe Serbia pritet të paraqesë një projektrezolutë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së e cila, praktikisht, kërkon që Prishtina dhe Beogradi të bisedojnë edhe për statusin.
Unë mendoj se Serbia, si vend që dëshiron që të anëtarësohet në Bashkimin Evropian duhet të konsultohet me vende që janë në BE përpara se të ndërmarrë nisma të njëanshme në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së. Unë i kuptoj reagimet e forta në Serbi ndaj opinionit të gjykatës. Përsa i përket qëndrimit të Mbretërisë së Bashkuar, mund t'ju them se opinioni i GJND-së shënon fundin e çdo argumenti lidhur me statusin e Kosovës. Mendoj se banorët që jetojnë në jug të Serbisë apo në veri të Kosovës, kërkojnë të shohin hapa konkretë si nga qeveria e Beogradit ashtu edhe ajo e Prishtinës për hapjen e vendeve të punës në zonat ku ata jetojnë, mundësimin e tregtisë dhe ribashkimin e familjeve, si dhe krijimin e garancive ligjore që kompanitë e huaja të vijnë dhe t'i punësojnë banorët vendas. Kjo është ajo që duan njerëzit e zakonshëm, qofshin këta serbë apo shqiptarë.
Zoti ministër, cili mendoni se është një skenar realist ku Serbia do ta njihte Kosovën në një mënyrë apo një tjetër, po të kemi parasysh ndjenjat e forta që ekzistojnë për këtë çështje në Beograd. Kur parashikoni se mund të ndodhë kjo?
Mos prisni që t'ju jap ndonjë grafik kohor se kur do të ndodhë kjo. Përsa i përket Britanisë, ne besojmë se si për Serbinë, ashtu edhe për Kosovën, e ardhmja është në Bashkimin Evropian, ku ato kanë çfarë të ofrojnë. Ne duam të bashkëpunojmë me të dyja qeveritë, në Beograd dhe Prishtinë, për t'i ndihmuar që të hedhin hapa në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe zbatimin e reformave të nevojshme për të përmbushur kriteret e anëtarësimit. Shpresoj që pas tronditjes fillestare që i shkaktoi opinioni i GJND-së, qeveria serbe do ta kuptojë se është në interesin e vetë popullit serb dhe në interesin e popullit të Kosovës, shqiptarëve dhe serbëve, që Serbia të shohë përpara në mënyrë që të dyja vendet të anëtarësohen në Bashkimin Evropian, siç kanë shprehur dëshirën.
A besoni se pesë vendet e anëtare të Bashkimit Evropian që nuk e kanë njohur Kosovën, do ta hedhin këtë hap tashmë që Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e dha mendimin në favor të Kosovës.
Është interesante se pavarësisht nga mosmarrëveshjet brenda radhëve të Bashkimit Evropian për çështjen e statusit të Kosovës, e gjithë kjo organizatë, të 27 vendet anëtare, kanë miratuar një qasje të përbashkët që i kërkon Serbisë dhe Kosovës që të reagojnë në mënyrë konstruktive tashmë pas shpalljes së opinionit të GJND-së. Gjithashtu, të 27 vendet anëtare duan që Serbia dhe Kosova të fillojnë një dialog për çështje praktike, për hapjen e vendeve të punës, për tregtinë apo shtetin ligjor. Kjo është në interes të të gjithë atyre që jetojnë në këtë pjesë të Ballkanit. Për mua Serbia duhet ta lërë mënjanë çështjen e statusit të Kosovës. Sigurisht, unë nuk pres që Serbia ta njohë Kosovën si shtet të pavarur që nesër. Por, ajo duhet të pranojë realitetin se është fqinje me Kosovën e pavarur, prandaj duhet të bëjë çmos për një të ardhme më të mirë si për popullin e Serbisë ashtu edhe atë të Kosovës.
Gjatë vizitës së tij në Ankara në fillim të javës, kryeministri britanik, David Cameron, e mbështeti fuqishëm anëtarësimin e Turqisë në Bashkimin Evropian. Ju vetë keni shërbyer për një kohë në Ballkan. Ku e shihni rolin e Britanisë në procesin e integrimit evropian të vendeve ballkanike?
Ne mbështesim fuqimisht anëtarësimin e vendeve ballkanike në Bashkimin Evropian. Mendojmë se BE-ja duhet të tregohet më energjike në avancimim më tej të procesit të integrimit të këtyre vendeve. Por, nga ana tjetër, ne mendojmë se duhet të ketë një qëndrim të qartë dhe rigoroz për kriteret e pranimit në Bashkimit Evropian. Të gjitha vendet ballkanike duhet të kryejnë reforma të rëndësishme në ekonomi, në administratë, apo në sistemin e drejtësisë në mënyrë që të përmbushin kriteret e anëtarësimit. Mendoj se perspektiva e anëtarësimit duhet t'i inkurajojë këto reforma. Britania dëshiron të luajë një rol aktiv për t'i mbështetur vendet ballkanike që ato të ecin përpara me reformat dhe të hedhin hapa për t'u anëtarësuar në momentin e përshtatshëm.
Sa ju shqetëson fakti që në rrugën e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, Maqedonia ka një pengesë serioze që nuk ka të bëjë me përmbushjen e kritereve, por me momarrëveshjen me Greqinë për çështjen e emrit.
Mendoj se edhe kur të arrihet një marrëveshje për çështjen e emrit të Maqedonisë, përsëri mbeten disa reforma që qeveria e këtij vendi duhet të kryejë për përmbushjen me sukses të procesit të anëtarësimit. Unë do t'i inkurajoja miqtë tanë në Maqedoni që t'i vazhdojnë këto reforma paralelisht me përpjekjet për gjetjen e një zgjidhjeje për emrin. Qeveria britanike dëshiron që ta shohë Maqedoninë në Bashkimin Evropian sa më shpejt. Duam të shohim, gjithashtu, një zgjidhje për çështjen e emrit. Sigurisht, nuk na takon neve në Londër të themi se cila duhet të jetë kjo zgjidhje. Udhëheqësit e Maqedonisë kanë një shans tjetër këtë vit që të arrijnë një marrëveshje me Greqinë, çka do të hapte rrugën që Maqedonia të ecë përpara. Është shumë e rëndësishme që ky shans të shfrytëzohet.
Lidington, a mendoni se do të ketë një integrim në grup të vendeve të Ballkanit Perëndimor apo do të jetë një proces me disa valë, sipas meritave të secilit vend?
Mendoj se do të ketë një seri programesh individuale, vend pas vendi, sepse paketa e reformave që kërkohet, ka veçoritë e veta në secilin vend. Mund të ndodhë që disa vende të anëtarësohen në Bashkimin Evropian njëkohësisht. Por, unë sigurisht nuk mund të them se çdo vend duhet të presë derisa të bëhen gati gjithë të tjerët. Gjithsesi, Britania dëshiron që të gjitha vendet e rajonit të hedhin hapa për një anëtarësim sa më të shpejtë.
Si e vlerësoni situatën e krijuar nga ngërçi politik në Shqipëri?
Ne jemi shumë të shqetësuar nga vazhdimi i ngërçit politik mes qeverisë shqiptare dhe opozitës. Kjo situatë po dëmton imazhin ndërkombëtar të Shqipërisë dhe ajo që është më e rëndësishme, po bllokon disa reforma jetike që janë në interes të popullit shqiptar. Britania vazhdon të mbështesë fuqimisht perspektivën evropiane të Shqipërisë, por që kjo përspektivë të përmbushet, duhet vullnet politik si dhe shumë energji për të plotësuar kushtet e nevojshme në rrugën e anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Ne shpresojme që forcat politike në Shqipëri të gjejnë një rrugëdalje nga ky ngërç. Është shumë e rëndësishme që dy apo tre forcat politike të punojnë për gjetjen e një zgjidhjeje që duhet mbështetur në parimin e transparencës dhe kushtetutshmërisë.
Zoti ministër, ju e keni quajtur integrimin e Ballkanit Perëndimor si një 'test me letër lakmusi' për bashkëpunimin evropian në fushën e politikës së jashtme. A do të jetë i suksesshëm ky test?
Shpresoj që të jetë i suksesshëm. Nuk do të ishte mirë për të gjithë Evropën nëse, politikisht, nuk do të arrinim të hidhnim hapa në Ballkan. Është në interesin e Mbretërisë së Bashkuar dhe, sigurisht, edhe të Bashkimit Evropian që të mos lejojmë rikthimin e tensionit etnik dhe trazirave në këtë rajon. Ne duhet t'i mbështesim qeveritë e rajonit që këto vende të konsolidojnë stabilitetin politik dhe respektimin e shtetit ligjor dhe të hedhin hapa për pajtimin etnik. Gjithashtu, duhen kryer disa reforma politike, administrative dhe ligjore, në mënyrë që këto vende të zënë vendin e tyre në zemër të familjes evropiane.
BBC