English

Edi Rama: Protestat, mbeten pjesë e rrugës sonë opozitare

Tiranë, 30 Korrik, NOA – “Besoj që ndajmë së bashku, së paku pikëpamjen që në ditët e fundit ka pasur shfaqje edhe më shqetësuese të krizës. Të krizës së gjithanshme, të krizës së demokracisë, të krizës së shtetit të së drejtës, por edhe të ekonomisë që është aspekti i krizës që cenon drejtpërdrejtë cilësinë e jetës së përditshme të familjeve shqiptare, të cilat sot po e ndjejnë përditë e më shumë se kriza po kufizon mundësitë e tyre për të shpenzuar dhe për të plotësuar nevojat jetike. Ato ndoshta më minimale për shumë e shumë familje që veçanërisht në rastin e pensionistëve apo të papunëve e kanë të pamundur ta mbërrijnë fundin e muajit në rast se nuk kanë një ndihmë nga pjesëtarët e familjes apo të afërmit në emigracion”, e ka nisur bashkëbisedimin e tij me gazetarwt, kryetari i PS-sw, Edi Rama.

Mw tej, ai tha se “ka kaluar buxhet i rishikuar dhe ka kaluar duke shfaqur edhe në procesin e aprovimit, krizën e rëndë të demokracisë që manifeston vetë parlamenti, vetë hapësira parlamentare ku është e qartë se nuk ka as një minimum etik, e jo më pastaj demokratik. Për më tepër ky buxhet i rishikuar, i pa diskutuar nen për nen si asnjëherë tjetër në historinë e parlamentit shqiptar në periudhën e tranzicionit demokratik është tërësisht i pamjaftueshëm si masë për të përballuar krizën. Kriza e ka venë poshtë vendin dhe ka ikur shumë përpara, ndërkohë që qeveria përpiqet ta ndjekë nga pas, duke u munduar njëkohësisht ta fshehë, por masat e marra dhe posaçërisht ky rishikim buxheti nuk është as më shumë e as më pak po pranimi më kuptimplotë i ekzistencës së një krize që tashmë ka prekur ashtin e ekonomisë shqiptare. Ndërkohë që këto ditë ka ndërthurur edhe aspektin e krizës së demokracisë duke i treguar mbarë opinionit publik, por jo vetëm opinionit publik por edhe aleatëve dhe partnerëve tanë, mungesën e vullnetit për të respektuar normat e bashkëjetesës në NATO. Dhe pse vetëm për hir të një vullneti të mbrapshtë që kërkon të nënshtrojë edhe shërbimin sekret, e në këtë rast duke qenë se kjo bëhet në kundërshtim me vetë interesat e vendit, të NATO-s dhe të SHBA-së, si avokati ynë për hyrjen në NATO, do të thotë se interesa të errëta qëndrojnë pas, interesa të errëta që fatkeqësisht mishërohen dhe përfaqësohen nga kryeministri i vendit”.

Më tutje kjo ka krijuar një tjetër krizë, krizën me Presidentin Republikës, në formën e një kërkese aspak etike qoftë edhe në shprehje, adresuar si akuzë ndaj presidentit për gjoja shkeljen e kushtetutës dhe bllokimin e Gjykatës Kushtetuese që sot është në këtë derexhe pikërisht për faj dhe përgjegjësi ekskluzive të atyre që akuzojnë, të atyre që akuzojnë mbi karriget e pushtetit të vjedhur që gjatë gjithë këtë viti ka treguar përditë se arsyeja themelore e vjedhjes së votave në 28 qershor ka qenë babëzia dhe njëkohësisht vullneti i mbrapshtë për të vënë në kontroll çdo gjë, duke gjunjëzuar Shqipërinë dhe shqiptarët, nën një rend punësh në kundërshtim me rendin kushtetues. Duke gjunjëzuar të gjitha institucionet kushtetuese të këtij vendi, me forma dhe rrugë sa antikushtetuese, sa antidemokratike, sa antiqytetare, të ndërthurura të gjitha bashkë si shprehje të një vullneti të mbrapshtë, thjesht dhe vetëm për një pushtet interesash gjithmonë e më të mbledhura në një grusht njerëzish.

Jemi në kushtet kur thellohet përditë manipulimi dhe falsifikimi i të dhënave të një ekonomie që në gojën e kryeministrit shfaqet në lulëzim mu në zemër të një botë që është e gjitha e shkretuar nga efektet e krizës, por që në tryezat e familjeve shqiptare shfaqet si rrënim, në bilancet e sipërmarrjeve shqiptare shfaqet si rrënim, në tërësinë e punëve të vendit shfaqet si rrënim. Përballë kësaj situate, sot më shumë se kurrë Shqipëria ka nevojë për ndryshim, sot më shumë së kurrë Shqipëria ka nevojë për të parë me kurajo një rrugë të re dhe për tu ndarë me guxim nga ky pushtet i mbrapshtë, i cili pasi grabiti zgjedhjet u humbet përditë shqiptarëve mundësi, vende pune, shpresa. Mjafton që të pyesni ata që jetojnë jashtë oborrit të pushtetit, ata që janë subjekt i fjalimeve të përditshme të kryeministrit dhe të oborrtarëve të tij për rritjen marramendëse ekonomike dhe do të dëgjoni as më shumë e as më pak por thjesht të kundërtën. Realitetin e një Shqipërie pensionistësh të cilëve u thuhet se u është rritur pensioni 5 deri në 6%, ndërkohë që vetëm kostoja e ushqimeve u është rritur 6%, barabartë me rritjen e pensioneve. Telefoni për të lajmëruar urgjencën apo për nevojat më elementare, jetësore, u është rritur po ashtu. Uji akoma më shumë. Energjia shumë më tepër. Të gjitha këto bashkë, jo vetëm e kanë zeruar, por e kanë bërë rritjen e ashtuquajtur të pensioneve të tyre një pesë me hiç. E njëjta gjë edhe në këtë rast, arsyeja është mbrapshtia dhe babëzia e pushtetit, sepse vetëm duke llogaritur abuzimet e bëra, ato të llogaritshmet, jo ato të padukshmet me ekonominë dhe thjesht duke shmangur këto abuzime, rrogat dhe pensionet sot mund të ishin rritur 20%. Po, sigurisht ka një copë Shqipëri që jeton më mirë, ka një copë Shqipërie ku ekonomia lulëzon, ka një copë Shqipërie që vërtet nuk ka të krahasuar me asnjë vend të botës, me asnjë vend të zhvilluar të botës dhe kjo është copa e Shqipërisë ku jetojnë Sali Berisha dhe oborrtarët e tij. Oborrtarë që deklarojnë 1.8 mln euro fitim në funksion shtetëror brenda një viti, oborrtarë që nuk paguajnë as tatimin mbi fitimin, oborrtarë që guxojnë që jo vetëm të mos japin llogari, por nën sqetullën e kryeministrit të turren rrugaçërisht ndaj atyre që u vënë përpara thjesht faktin dhe në emër të interesit publik ju kërkojnë shpjegime, për një fakt të tillë që do të kishte rrëzuar çdo qeveri demokratike, në çdo vend demokratik.

Përpara se të kalojmë në pyetjet tuaja, dua të nënvizoj se kjo javë është karakterizuar nga shprehja kuptimplotë, e qartë, e dukshme e krizës së demokracisë, të shtetit të se drejtës dhe të ekonomisë. Nga buxheti i rishikuar shumë më vonë nga ç’duhej dhe në mënyrë tërësisht të pamjaftueshme, gjë që do ta detyrojë qeverinë të rikthehet në parlament për të rishikuar buxhetin, tek kriza absurde, por më shumë sesa absurde, domethënëse për natyrën e këtij pushteti dhe për çka përfaqëson ky pushtet me interesat e vendit, me partnerët, me aleatët strategjikë të Shqipërisë ndaj të cilëve deri në sekondën e fundit u mbajt një qëndrim i turpshëm. Sigurisht edhe tek kriza e re me Presidentin e Republikës, gjuha e përdorur ndaj të cilit, argumentat e përdorur kundër të cilit, janë as më shumë e as më pak, po shprehja e një krize të thellë, që është një krizë në radhë të parë organike e këtij pushteti. E këtij pushteti i cili buron nga një grabitje dhe nuk mund të rrijë në këmbë pa nënshtruar gjithçka, gjë që sigurisht nuk do të arrijë ta bëjë. Për këtë arsye sot kjo qeveri është më qartë se asnjëherë tjetër në sytë e shqiptarëve problemi kryesor që ne kemi dhe që duhet të zgjidhim për të mundur që të merremi pastaj me problemet e mëdha që ka vendi, që vetëm do të thellohen dhe do të vështirësohen në rast se ky problem kryesor do të qëndrojë në mes nesh dhe të ardhmes si një pengesë për të parë drejt integrimit duke rritur mirëqenien, duke rritur punësimin, duke rritur potencialisht dhe realisht mundësitë për secilin që mund të jetojë me punën e tij, duke u edukuar ashtu siç dëshiron.

50 mijë njerëz kanë humbur punën vetëm në fushën e fasoneve. Vetëm në atë sektor ka një humbje vende punësh marramendëse. Janë të pa numërueshme më humbjet e vendeve të punës qysh prej një viti, kur ju premtuan shqiptarëve 160 mijë vende pune dhe në fakt brenda një viti ju kanë humbur më shumë se 100 mijë vende pune”.

Duke patur parasysh ekspozenë e gjerë që ju bëtë dhe në fakt kur pritej një lloj zbutje e situatës për shkak edhe të takimeve mes z.Ruçi dhe z.Patozi. Në fakt po ta marrim situatën më të fundit ka patur një përkeqësim të situatës edhe për shkak të ligjit për SHISH dhe për shkak të konfliktit me Presidentin e Republikës. Si e shikoni shtatorin, shikoni një zbutje të klimës politike apo do të kemi vazhdimin e kësaj klime të ndezur, kësaj përplasje të ashpër që ka shoqëruar këtë një vit e gjysmë, post zgjedhor?

Besoj që përditë e më shumë edhe ju vetë uroni që kjo copë rruge ku gjërat shkojnë përditë e më keq të mbarojë dhe një rrugë tjetër të nisë. Që të nisë një rrugë tjetër duhet të zgjidhim krizën, krizën e gjithanshme. Që ta zgjidhim krizën e gjithanshme duhet të kemi fuqinë për ta parë në sy krizën dhe aftësinë dhe pasionin politik për ta zgjidhur. Mendoni që i ka të gjitha këto pushteti aktual?! E atëherë ka vetëm një përgjigje, kjo qeveri duhet të largohet. Në rast se kjo qeveri nuk largohet ka vetëm përkeqësim jo për shkakun tonë të opozitës shqiptare, jo për shkakun e Presidentit të Republikës, jo për shkakun e Drejtorit të Shërbimit Sekret, jo për shkakun e NATO-s apo SHBA-së, as për shkakun e të gjithë atyre njerëzve që sot janë përditë e më të pashpresë, por thjesht dhe vetëm për shkakun e keqqeverisjes dhe të babëzisë që karakterizon përditshmërinë e këtij pushteti të vjedhur.

Si do të ndikoni në largimin e kësaj qeverie?

Besoj që gjatë gjithë këtij viti kemi ndikuar mjaftueshmërisht për ta bërë qeverinë përditë e më të largueshme dhe për të rritur vetëdijen tek të gjithë se kjo qeveri duhet të largohet.

Me këtë qeveri keni nisur negociatat, nuk u ngrit komisioni hetimor, a quhen të dështuara negociatat. Po mendoni për protestat?

Negociatat bëhen gjithmonë me armikun ose me kundërshtarin. Kështu që fakti që ne kemi bërë apo bëjmë negociata nuk do të thotë se kemi ndryshuar apo do ndryshojmë mendim për këtë qeveri. Por, do të thotë që kemi të gjithë vullnetin që të bëjmë gjithshka mundemi për të lehtësuar barrën e krizës mbi supet e shqiptarëve dhe për të ulur sa të mundemi kostot e kësaj krize. Në rast se nga pala tjetër ka vetëm shurdhëri e njëkohësisht edhe verbëri ky nuk është as faji ynë, por nuk është as problemi ynë. U takon shqiptarëve të gjykojnë.

Unë besoj se shqiptarët përditë e më shumë gjykojnë se kjo qeveri nuk ua zgjidh dot problemet që kanë. Përditë e më shumë gjykojnë se kjo qeveri nuk ua rrit dot pensionet në të atillë mënyrë që të përballojnë rritjen e çmimeve dhe në tërësi koston e jetesës. Sipërmarrësve që përditë e më shumë gjykojnë se kjo qeveri jo vetëm nuk do t’u kthejë borxhet, por do t’i çojë drejt falimentimit. Apo të gjithë të tjerëve që përditë e më shumë besojnë se me këtë qeveri nuk ka jo të ardhme, po as të nesërme të siguruar. Në këto kushte ne na takon të jemi të jemi zëri i të vërtetave të thjeshta e padyshim të jemi zëri i protestës.

Pa dyshim protestat janë pjesë e rrugës sonë opozitare në kushtet kur jetojmë në një Shqipëri ku jo vetëm janë vjedhur zgjedhjet, por përditë e më shumë vidhet pasuria e përbashkët. Përditë e më shumë humbasin vende pune e shpresa. Përditë e më shumë mbyllen perspektivat për njerëzit e thjeshtë. Sigurisht që përpjekjet e bëra kanë rritur ndjeshëm vëmendjen e komunitetit ndërkombëtar. E kanë vendosur komunitetin ndërkombëtar në një pozicion të qartë: Duhet zgjidhur kriza duke bërë transparencë.

Në rast se transparenca nuk bëhet dhe e drejta e shqiptarëve për të parë të vërtetën e mbyllur në kuti prej më shumë se një viti mohohet, sigurisht, kjo rrit përgjegjësinë dhe rrit kostot e kësaj qeverie, por edhe kostot e të gjithëve ne. Për sa na takon ne do vazhdojmë të kërkojmë transparencën si një princip i pandashëm nga vizioni ynë për mënyrën se si duhet të funksionojë ky vend. Ne nuk kërkojmë thjesht transparencën për ato kuti, por në kërkojmë transparencën si princip në bazën e punës dhe bashkëjetesës së të gjithë faktorëve të zgjedhur nga populli për të drejtuar apo për të bërë opozitën e drejtimit të këtij vendi. Mungesa e transparencës është kthyer në princip nga ana tjetër. S’ka transparencë për asgjë. S’ka transparencë jo thjesht për kutitë, s’ka transparencë për shifrat e ekonomisë. Nuk u thuhet shqiptarëve e vërteta as për borxhin publik, as për deficitin, as për gjendjen e përgjithshme në të gjithë sektorët. Nuk ka shifra të vërteta për të ardhurat, nuk ka shifra të vërteta për asgjë, asgjë. Ka vetëm shifra të manipuluara dhe të fabrikuara për të krijuar imazhin e një ekonomie në progres. Nuk ka transparencë as për vendimin më të thjeshtë të qeverisë pa folur për privatizimet, pa folur për koncesionet, pa folur për kthimin dhe kompensimin e pronave. Mungesa e transparencës vjen nga arsye të qenësishme që kanë të bëjnë me plotësimin e atyre interesave të errëta që vetëm transparenca mund t’i zhbëjë. Nuk ka transparencë as për marrëdhëniet që ka qeveria me mediat. Ndërkohë që të gjithë botuesit të cilët nuk janë pjesë e oborrit të pushtetit janë përditë nën një agresion të përditshëm mafioz. Gjobat ndaj mediat janë vetëm pjesa e dukshme e një ajsbergu që shkon shumë thellë, tek përndjekja hapa pas hapi e këmba këmbës e atyre që financojnë media kritike ndaj qeverisë. Të gjitha gjobat ndaj medias do t’i anulojmë ditën e parë, ashtu siç do të anulojmë çdo proces tjetërsimi të pasurisë publike në mënyrë korruptive. Do të bëjmë transparencë për gjithçka lidhet me interesin publik, me pasurinë publike, me të mirën publike. Ndërkohë që çdo gjobë të vendosur ndaj medias do ta anulojmë. Çdo dëm të bërë nga pushteti mbi median do ta zhdëmtojmë.

Ka kaluar një vit, deri kur do pritet për transparencën?

Partia Socialiste nuk ka pushkë për të marrë dhe nuk ka as rrugë tjetër për të ndjekur përveç rrugës së rezistencës demokratike në një proces ku mungesa e transparencës nuk rrit përgjegjësinë mbi supet e PS dhe të opozitës, por rrit përgjegjësinë mbi kurrizin e një pushteti që doli nga një grabitje dhe që kërkon të qëndrojë në këmbë duke mbajtur të fshehur gjurmën e kësaj grabitjeje. Në rast se pushteti e refuzon transparencën do të paguajë dhe çmimin. Sigurisht ky çmim në demokraci paguhet me vullnetin e popullit.

PD e ka shprehur për qëndrimin në lidhje me Presidentin, a ka shkelje të Kushtetutës për PS?

Kur Partia Demokratike flet për shkelje të Kushtetutës më kujtohet Faik Konicës që thoshte “Më vjen një i papërmbajtur gaz”. Është krejt humbje kohe dhe mungesë respekti për veten që ne ti hyjmë një diskutimi lidhur me sa të drejtë ka PD kur flet për shkelje kushtetute. Ata çdo ditë gdhihen me dy këmbët mbi kushtetutën dhe ngrysen duke i lënë këpucët mbi kushtetutën para se të shkojnë të flenë. Janë në shkelje konstante të Kushtetutës. Nuk kanë gojë të flasin për Kushtetutën.

Shpesh është aluduar se nuk do merrni pjesë në zgjedhjet lokale?

E dëshirojnë pa fund mospjesëmarrjen tonë në zgjedhje dhe kanë arsye ta dëshirojnë. Ne na kanë përballë dhe do na kenë përballë. Duhet ta harrojnë se do të përsërisin Ruzhdien në zgjedhjet e ardhshme kurdo qofshin ato.

NOA

KOMENTE