English

Ekonomi - Shba - Rritja E Qëndrueshme Por Jo E Mjaftueshme Për Zvogëlimin E Papunësisë

UASHINGTON, 30 korrik /ATSH-AFP/ - Shtëpia e Bardhë u shpreh sot se rritja e ekonomisë amerikane është e qëndrueshme, por pranoi se ajo mbetet e pamjaftueshme për "të zvogëluar ndjeshëm papunësinë", pas publikimit të shifrave zhgënjyese të PBB-së në tremujorin e dytë të vitit 2010. Sipas shifrave zyrtare të publikuara sot në Uashington, rritja e PBB-së amerikane është ngadalësuar më tepër nga sa parashikohej në tremujorin e dytë, në 2,4 për qind në ritëm vjetor. Megjithatë, këshilltarja kryesore e presidentit Barak Obama për ekonominë, Christina Romer, theksoi se këto shifra flasin për një tremujor të katërt rritjeje në vazhdim. "Rritja ekonomike në tremujorin e parë ishte më e madhe nga sa ishte parashikuar, në 3,7 për qind, gjë që do të thotë se kjo rritje ishte më tepër se 3 për qind në gjashtëmujorin e parë të vitit 2010", shtoi ajo në një shënim në faqen e internetit të Shtëpisë së Bardhë. "Ky ritëm i qëndrueshëm rritjeje tregon se procesi i rimëkëmbjes konstante vazhdon. Megjithatë, nevojitet një rritje më e madhe për të zvogëluar ndjeshëm papunësinë. Sigurisht, duhet të bëhet shumë më tepër që ekonomia amerikane të shërohet plotësisht", shtoi Romer. /I.Pu.
KOMENTE