Tiranë, 30 korrik, NOA – Ekstradohet nga Spanja, 39 vjeçari Ilia Aleko Kotiu, i fshehur nën emrin Artan Dautaj, i dënuar me 9 vjet burg, për shfrytëzim prostitucioni në rrethana rënduese.
Shtetasi Ilia Kotiu, Artan Dautaj, ishte shpallur në kërkim pasi më datë 24 korrik të vitit 2001, ka marrë me vete shtetasen T.B., me të cilën ishte fejuar disa muaj më parë, dhe është nisur me skaf nga Vlora drejt Italisë, duke shkuar më pas në Spanjë e në Francë.
Atje, Ilia Kotiu ka ushtruar dhunë psikologjike dhe fizike ndaj shtetases T.B., duke e detyruar atë të ushtrojë prostitucion në Spanjë dhe Francë, nga muaji korrik 2001 e në vazhdim.
Policia e shtetit njoftoi sot se Zyra Qendrore Kombëtare “Interpol Tirana” kreu dje ekstradimin nga Madridi, drejt Tiranës, të të dënuarit, shqiptar Ilia Aleko Kotiu, i lindur në Skrapar.
Sipas policisë ndaj shtetasit Kotiu Gjykata e Rrethit të Beratit kishte marrë vendimin e dënimit me 9 vite burg, në 26 shkurt të 2009-ës, pasi i dënuari kishte shfrytëzuar vajza për prostitucion, në rrethana rënduese për jetën e tyre.
Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tirana me Interpol Madridin, në datën 15 dhjetor të 2009-ës, u bë i mundur arrestimi me qëllim ekstradimin e tij drejt Shqipërisë.
Në aeroportin “Nënë Tereza” në Rinas, Ilia Kotiu, i është dorëzuar përfaqësuesve të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.
mit/NOA