Elbasan: Ne Uzinen E Mjekesit Nis Demontimi I Predhave Te Mortajes 120 Mm
ELBASAN, 30 Korrik/ATSH-Miranda Sadiku/ - Në Uzinën e Lëndëve Plasësë të Mjekësit në Elbasan u përurua sot fillimi i punimeve të linjës së demontimit të predhave te mortajave 120 mm.
Drejtori i Uzinës së Lëndëve Plasëse në Mjekës, Danjel Karanxha, tha se, "në këtë linjë do të shkatërrohen 11.027 ton predha mortaje në dy faza deri në fund të vitit 2013, ndërsa së shpejti do të hyjë në funksion edhe linja për asgjësimin e minave prej bakeliti, që do të demontojë 2112 ton".
Sipas tij, "këto dy linja do të pasohen në muajin janar 2011 nga një linjë e re, që do të demontojë predhat unitare të artilerisë të kalibrit 75 deri 152 mm, me një sasi totale prej 7127 ton".
Përfundimi i këtyre linjave e kthen Uzinën e Lëndëve Plasëse të Mjekësit në uzinën më të rëndësishme ushtarake, ku kryhet rreth 67 për qind e demontimit kombëtar në rrugë industriale.
Zv/ministri i Mbrojtjes, Ekrem Spahia, i pranishëm në këtë përurim, theksoi se, "kjo linjë e adoptuar nga ajo e demontimit të predhave 160 mm dhe është përmirësuar në shumë drejtime. Deri në fund të vitit, këtu në këtë linjë do të demontohen 1500 ton predha të tilla".
Ai bëri të ditur se në muajin gusht në Mjekës do të përurohet edhe linja e demontimit të predhave kundërtanke, ku kapaciteti i demontimit do të jetë 800 ton në vit.
Uzina e Lëndëve Plasëse të Mjekësit ka përvojë të pasur në fushën e demontimit. Në vitin 2001 -2002 u demontuan 104.825.354 copë fishekë të kalibrave të ndryshëm. Në vitin 2005 me një fond prej 3.000.000 euro, u bë e mundur ndërtimi i furrës së djegies, më e mira në vend, një investim ky i kryer nga NAMSAS. /a.ke/