Elbasan: Turizmi Kulturor, Zhvillim Qe Kerkon Marketing Te Specializuar
R
ELBASAN, 30 Korrik/ATSH-Miranda Sadiku/ - Elbasani ka mundësi të shumta për zhvillimin e turizmit kulturor dhe natyror, me të cilat mund të zhndërrohet në një nga qytetet më të preferuara për turistët, por për këtë qëllim, ka nevojë për përmirësimin e sektorit të menaxhimit turistik.
Drejtori i Muzeut Etnografik të Elbasanit, Kreshnik Belegu shpjegon arsyet se përse Elbasani me resurset e shumta, mund t'i joshin turistët për t'a vizituar.
Belegu e shikon si një inkurajim të madh faktin, që vitet e fundit, Elbasanin e kanë vlerësuar për pasurinë kulturore diplomatët e huaj në Shqipëri, mes të cilëve, veçon ambasadorin amerikan, John Withers. "Në një kohë të shkurtër, Withers e ka vizituar dy herë Muzeun Etnografik të qytetit", thotë ai.
Zbulimi i mozaikut në qendër të qytetit afër Kalasë së lashtë në vitet e fundit, ka shtuar edhe një pikë kulturore për t'u vizituar, që i shtohet listës së gjatë të objekteve të tjera kulturore, si "Rrapi i Mansit", "Rrapi i Bezistanit", "Ulliri i Qejfit", "Kroi i Kalit", "Burimi i Bankës", "Busheku", "Labinoti Fushë", "Krasta e Madhe" , "Llixha", "Liqenet e Dumresë",etj, të cilat të shoqëruara me histori dhe legjenda shumëshekullore e origjinale specifike, fshehin perla për vizitorët.
Elbasani "rrethohet" nga pasuria historike e qendra arkeologjike, si Stacioni "Ad Quintum", Mozaiku i Tepes lartë në ullishtën e qytetit, Llixha mes vlerave kurative dhe turistike, objektet historike si Muzeu Etnografik, ato të kultit, banesat karakteristike qytetare elbasanase që ndodhen brenda mureve të Kalasë, etj.
Për Belegun, menaxhimi i turizmit kulturor në Elbasan ka nevojë për përmirësim.
"Duhet të punohet akoma më tepër e të përmirësohet në maksimum, menaxhimi i këtij lloj turizmi, që në mënyrë të padiskutueshme, ndikon edhe në zhvillimin e qytetit. Jemi në hapa të shpejtë të zhvillimit të turizmit dhe në një të ardhme, elbasanasit mendojnë se ai do të jetë aq i madh, sa qyteti do të duket i pushtuar prej tij", shton Belegu.
Ai vlerëson se prej disa kohësh kreu i Bashkisë dhe kryetari i Këshillit të Qarkut janë bërë iniciatorë të një lëvizjeje që mund të ndikojë në gjallërimin e këtij lloj turizmi./ch/