English

Fakulteti I Mjekësisë, Rregullore E Re Për Specializimet

TIRANE, 30 Korrik/ATSH/. - Senati Akademik i Universitetit të Tiranës miratoi sot Rregulloren e re të Specializimeve për Fakultetin e Mjekësisë. Deri më sot, pranimi për programet e specializimeve kryhej në bazë të një provimi të përgjithshëm dhe të vetëm e më pas kandidatët fitues shpërndaheshin në departamentet e këtij fakulteti. Për këtë, shefat e departamenteve dhe Këshilli i Fakultetit të Mjekësisë propozuan që konkurrimi për specializimet afatgjata te zhvillohet në bazë departamenti dhe jo në bazë fakulteti. Senati Akademik e miratoi këtë propozim dhe procedura e re do të ndiqet nga viti i ardhshëm akademik. Arsyetimi i Këshillit të Profesorëve të Fakultetit të Mjekësisë dhe i përgjegjësve të departamenteve, përveç decentralizimit, ishte specifika e këtyre departamenteve. Duke qenë se specializimet afagjata kanë qëllimin e vazhdimit të studimeve në një fushë të caktuar të mjekësisë, pra janë studime profesionalisht të orientuara, organizimi i një konkursi të përgjithshëm e humbet nocionin e specializimit në një fushë të caktuar. Senati Akademik, si organi kompetent për miratimin e rregullores, mori vendimin që mënyra e zhvillimit të konkursit të jetë sipas propozimit të Këshillit të Profesorëve dhe përgjegjësve të departamenteve, pra konkurrimi të bëhet pranë departamenteve përkatëse. /e.gj//a.ke/
KOMENTE