Fier, 30 korrik, NOA – Shfrytëzonin funksionin publik, duke dhënë të drejtën e të paaftit për punë, vetëm për të përvetësuar para, por bien në prangat e policisë së Fierit dy mjekë, anëtarë të Komisionit të Paaftësisë për punë, ndërsa është shpallur në kërkim kryetari i këtij komisioni.
Burime nga policia e Fierit thanë për agjencinë NOA se dje, u finalizua me sukses operacioni i koduar "Shkodrani”.
Nën këtë operacion u arrestuan në flagrancë mjekja 49 vjeçare, Tushe Qalliu, banuese ne Mallakastër, me funksion Anëtare e Komisionit te Paaftësisë për Punë; mjeku kirurg 46 vjeçari Leon Shpataraku, banues në Fier, me funksion Anëtar i Komisionit të Paaftësisë për Punë.
Policia e Fierit lajmëron se në këtë operacion është shpallur në kërkim edhe një mjek neuropsikiatër, 66 vjeçari Stavri Furxhiu, Kryetar i Komisionit të Paaftësisë për Punë.
Këta shtetas akuzohen për veprën penale të korrupsionit pasiv.
Finalizimi i këtij operacioni u bë si rezultat i një hetimi disa mujor, në fokus të të cilit ishte Komisioni i Trajtimit të Aftësive për Punë pranë Drejtorisë së Sigurimeve Shoqërore, të Qarkut Fier.
Të tre këta shtetas në periudha kohore të ndryshme në bashkëpunim me njëri-tjetrin, duke shfrytëzuar funksionin e tyre, kanë përvetësuar shuma të ndryshme monetare në favor të dhënies së të drejtës për t’u trajtuar si të paaftë për punë nga Drejtoria e Sigurimeve Shoqërore.
mit/NOA