Gjatë Muajit Korrik Janë Plotësuar Nevojat E Spitaleve Në Vend Për Gjak
TIRANË, 30 Korrik/ATSH-Eriola Çuko/ - Gjatë muajit korrik janë arritur të plotësohen nevojat e spitaleve për gjak, veçanërisht për të sëmurët kronike që bëjnë trasfuzione të shpeshta gjaku. E po kështu, me sukses janë përballuar edhe situatat e vështira, sikurse janë aksidentet rrugore dhe traumat që konstatohen në mënyrë frekuente në rrugët tona.
Për shkak të vështirësive të përballimit të nevojave me gjak gjatë periudhës së verës, për herë të parë, me një udhëzim të veçantë të Ministrit të Shëndetësisë, Petrit Vasili, këtë vit u hartua programi për organizimin e sesioneve të dhurimit vullnetar të gjakut nga vetë personeli i institucioneve shëndetësore në të gjithë vendin. Në bazë të këtij udhëzimi, deri tani veç stafit të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Institutit të Shëndetit Publik, kanë dhuruar gjak një sërë institucionesh të tjera në qytete të ndryshme të vendit si, në Shkodër, Lezhë, Vlorë, Lushnje. Ndërsa, në muajt në vazhdim ky aktivitet do të vijojë me rajonet e Korçës, Beratit, Elbasanit, Durrësit , Gjirokastrës, Kukësit dhe Dibrës.
Sipas zëdhënëses së MSH, Alisa Demollari, "procesi i dhurimit vullnetar të gjakut nga insitucionet shëndetësore është në vazhdimësi dhe fushata do të vijojë deri në mesin e muajit shtator, kohë në të cilën nis dhe rritja e numrit të dhurimeve vullnetare për shkak të rifillimit të aktiviteteve pas pushimeve të sezonit veror".
Me këtë rast, MSH apelon për të gjithë qytetarët, të cilët e ndiejnë veten të shëndetshëm, të dhurojnë gjak, duke dhënë kontributin e tyre në këtë drejtim. Qytetarët mund të drejtohen pranë bankave të gjakut që ndodhen pranë çdo spitali në Tiranë dhe në rrethe.
Strukturat shëndetësore në vend falenderojnë në mënyrë të veçantë të gjithë personelin mjekësor për mbështjen dhe kontributin e dhënë ndaj kësaj nisme, si dhe partnerët e përfshirë në promovimin e dhurimit vullnetar të gjakut si Shoqatën e Dhuruesve Vullnetare të Gjakut dhe për Kryqin e Kuq Shqiptar.
Dhurimi vullnetar i gjakut është shprehja më e qartë e humanizmit njerëzor dhe njëherësh forma më e mirë e mbledhjes së gjakut cilësor dhe të sigurtë për pacientët në nevojë. /a.ke/