Tiranë, 30 Korrik, NOA – Tre biznese të gjobitura për mangësi në shqipërimin e produkteve të importuara, si edhe një sasi e konsiderueshme vaji e ushqimesh prej 50 kuintalësh, ka qenë bilanci i një plan-kontrolli të mirëdetajuar nga ana e Ministrisë së Bujqësisë në një sërë inspektimesh në tregjet ushqimore në Tiranë e Durrës.
Konkretisht, ata kanë inspektuar në furrat e bukës përgjatë rrugës së “Kavajës” deri në Kombinat si dhe në disa stabilimente të prodhimit, ambalazhimit dhe tregtimit të ujit.
Eshtë e rëndësishme të theksohet se këto kontrolle shërbejnë, në radhë të parë, si një fazë përgatitore për kalimin e funksioneve të inspektimit nga strukturat e Ministrisë së Bujqësisë; Ministrisë së Shëndetësisë dhe organeve të qeverisjes vendore, tek Autoriteti Kombëtar i Ushqimit.
Megjithatë kjo nuk është arsyeja e vetme e zhvillimit të kësaj fushate kontrollesh, pasi stina e nxehtë e verës dhe temperaturat e larta mund të jenë shkaktare të mos garantimit të sigurisë ushqimore për konsumatorët.
Nga rezultatet e inspektimit në tregun “Hamdi Pepa” në Tiranë, Inspektoriati i Sigurisë Ushqimore ka konstatuar se ai është nën parametrat dhe kërkesat e standardit për të realizuar qarkullimin, magazinimin dhe tregtimin e produkteve ushqimore në tërësi dhe të atyre me origjinë shtazore, sipas kërkesave të legjislacionit shqiptar për Sigurinë ushqimore, mbasi ka mangësi të theksuara në infrastrukturën e shitjes dhe atë ndihmëse.
Sikundër, ka edhe mungesa në sigurimin e ujit dhe të masave për sigurimin e karantinës së përgjithshme të mjediseve të punës dhe tregtimit, por edhe mangësi në lëvizjen e mjeteve dhe të produkteve ushqimore që qarkullojnë në treg.
Në lidhje me shkeljet e konstatuara nga Inspektoriati i Sigurisë Ushqimore dhe Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, janë marrë masa administrative si mbyllja e përkohshme e aktivitetit në rastet kur janë vërejtur mangësi në kushtet higjeno-sanitare deri në rregullimin e ambjenteve.
Ndërsa për produktet me afat të kaluar, është asgjësuar një sasi e konsiderueshme ushqimesh prej rreth 50 kuintalësh.
Gjithashtu, është asgjësuar edhe vaj i falsifikuar dhe me ambalazh plastik, pa asnjë treguese në ambalazh në sasinë mbi 50 kuintalë.
Në fund, janë gjobitur 3 biznese me rreth 100 mijë leke për mangësi në shqipërimin e produkteve të importuara dhe janë pezulluar përkohësisht shumë subjekte importuese pikërisht për këtë problem deri në momentin e rregullimit të tregut dhe importit me kundër etiketë me qëllim që konsumatori të marrë të gjithë informacionin e nevojshëm në lidhje me produktet ushqimore që konsumon.
n.e/NOA