English

Kina Nuk I Miraton Sanksionet E Njanshme Të Be-Së Kundër Iranit

PEKIN, 30 korrik /ATSH-AFP/ - Kina nuk i miraton sanksionet e njëanshme të vendosura nga Bashkimi Evropian ndaj Iranit për ta detyruar Iranin të rifillojë bisedimet për programin e tij të kundërshtuar bërthamor, deklaroi sot një zëdhënëse e Ministrisë së Jashtme. "Kina nuk i miraton sanksionet e njëanshme të marra nga Bashkimi Evropian kundër Iranit. Shpresojmë që palët në fjalë të vazhdojnë t'i përmbahen rrugës diplomatike dhe ta zgjidhin në mënyrën e duhur këtë problem nëpërmjet diskutimeve dhe bisedimeve", bëri të ditur zëdhënësja e Ministrisë, Jiang Yu, në një komunikatë të publikuar në faqen e internetit të ministrisë. BE-ja miratoi të hënën sanksione të një game të paprecedentë kundër Iranit dhe sektorit të tij energjetik. Megjithatë, Rusia, që po tregon një acarim gjithmonë e më të madh përballë kokëfortësisë së Teheranit për sa i përket programit të tij bërthamor, i ka kritikuar ato të martën. "E vlerësojmë të papranueshme përdorimin e sanksioneve të njanshme ose kolektive jashtë kuadrit të regjimit të sanksioneve të Këshillit të Sigurimit të OKB-së", deklaroi të martën Ministria e Jashtme ruse në një komunikatë. /I.Pu.
KOMENTE