Kosovë: Hyseni Takon Ambasadorin Gjerman Në Okb
PRISHTINË, 30 Korrik /ATSH-B.Jashari/ - Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Skënder Hyseni, takoi të premten Përfaqësuesin e Përhershëm të Republikës Federale të Gjermanisë në OKB, Dr. Peter Wittig, njoftoi zyra e shtypit e ministrisë së Jashtme të Kosovës.
Sipas njoftimit të këtij dikasteri, Hyseni dhe ambasadori Wittig biseduan në lidhje me kontekstin e ri që është krijuar pas mendimit të Gjykatës Ndërkombëtare (GJND) të Drejtësisë për ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës, si dhe në lidhje me detajet e hapave dhe veprimeve të ardhshme që do të ndërmerren, përfshirë dhe projektrezolutën e prezantuar.
Bëhet e ditur se në takim, ministri ka vënë theksin te nevoja dhe rëndësia e bashkërendimit të ngushtë të veprimeve të të dyja vendeve.
Në kuadër të vizitës disa ditore që po zhvillon në Nju Jork, ministri Hyseni ka vazhduar edhe sot serinë e takimeve me përfaqësues të përhershëm të akredituar pranë Organizatës së Kombeve të Bashkuara nga shtete që ende nuk e kanë njohur Republikën e Kosovës. Zoti Hyseni, thuhet në deklaratë, u ka bërë thirrje vendeve që e kanë shtyrë njëhjen e pavarësisë së Kosovës në pritje të mendimit të GJND se tashmë është koha të njohin atë./ch/