English

Kryeministri Berisha Mbledh Task Forcën Për Shëndetësinë

TIRANË, 30 Korrik/ ATSH/- Kryeministri Sali Berisha zhvilloi të oremten mbledhjen e Task Forcës për reformimin e sistemit shëndetësor, ku u shqyrtua ecuria e përgatitjes së udhërrëfyesve të praktikës klinike, protokolleve dhe kostifikimit. Zyra e shtypit të kryeministrisë njoftoi se, "gjatë kësaj mbledhje Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili në lidhje me këtë raportoi se në zbatim të VKM përkatëse, detyrave të lëna në takimet e Task Forcës dhe orientimeve të Kryeministrit u ngritën 42 grupe pune". Sipas tij, "mobilizimi i afro 300 specialistëve të vendit e të huaj si profesorë, akademikë, mjekë, infermierë, ekonomistë etj bëri të mundur që të përfundohen 111 draft protokolle për trajtimin e sëmundjeve, duke realizuar për herë të parë ketë proçes kaq të rëndësishëm qoftë për trajtimin shkencor të pacientëve, ashtu edhe për një menaxhim sa më racional të burimeve financiare dhe atyre njerëzore". Ky proçes u krye brenda një kohe mjaft të shkurtër, pas një bashkëpunimi intensiv mes Ministrisë së Shëndetësisë, ISKSH, Qendrës së Akreditimit dhe cilësisë, QSUT, Materniteteve të Tiranës dhe Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Duke vlerësuar punën e mirë të bërë nga të gjithë ekipet e përfshira, Kryeministri Berisha tha se, "ky proçes është hallkë shume të rëndësishme, në reformimin e sistemit shëndetësor dhe ofrimin e një shërbimi më cilësor ndaj pacientit". Kreu i qeverisë orientoi gjithashtu shtrirjen e protokolleve edhe në shërbimin parësor për të unifikuar diagnozën dhe trajtimin e të sëmurëve që në nivelin parësor. Një vend të rëndësishëm në këtë takim pati diskutimi i përgatitjes së menaxherëve në sistemin spitalor, rrugët e përzgjedhjes dhe kualifikimit të tyre, ku u diskutua forcimi dhe ridimensionimi i rolit të kryeinfermierëve në menaxhim për të rritur edhe më tej cilësinë e shërbimit spitalor dhe reduktimin e kostove të panevojshme. Gjatë takimit u analizua edhe situata në farmacitë spitalore, si dhe u përcaktuan detyrat për paraqitjen e një raporti për të ardhmen e këtij shërbimi në mbledhjen tjetër të task forcës. Së fundi u diskutua koncesionimi i shërbimeve si një nga drejtimet kryesore që do t`i shërbejë përmirësimit të punës dhe cilësisë në shërbimet spitalore./s.d//ch/
KOMENTE