English

Liban - Asad Dhe Abdallah I Këshillojnë Libanezët Të Shmangin Dhunën

BEJRUT, 30 korrik /ATSH-AFP/ - Presidenti sirian dhe mbreti i Arabisë Saudite, të cilët po zhvillojnë një vizitë historike në Bejrut, i këshilluan sot libanezët të shmangin përdorimin e dhunës për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, në një kuadër tensionesh në vend, njoftoi një komunikatë e presidencës libaneze. "Liderët theksuan rëndësinë e stabilitetit, të angazhimit të libanezëve për të mos përdorur dhunën dhe nevojën për t'i vënë interesat e Libanit mbi çdo interes të ngushtë", shtoi komunikata, në përfundim të një samiti mes presidentit sirian Bachar al-Asad, mbretit saudit Abdallah dhe presidentit libanez Michel Sleimane. Ata theksuan gjithashtu se duhet të jenë institucionet ligjore dhe kushtetuese si dhe qeveria e bashkimit kombëtar që do të zgjidhë mosmarrëveshjet, thuhet në dokument. Më 22 korrik, shefi i lëvizjes shiite Hezbollah, Hasan Nasrallah, njoftoi se shpreson që Gjykata e posaçme për Libanin, e krijuar nga OKB-ja, të akuzojë disa anëtarë të partisë së tij për përfshirje në vrasjen e ish-kryeministrit libanez Rafic Hariri. Mundësia e një akuze të tillë nga TSL-ja shkakton shqetësime të tjera për dhunë të përgjakshme ndërfetare si ato që ndodhën në vitin 2008 mes përkrahësve të sunitit Saad Hariri, djali i Rafik Haririt me mbështetësit e Hezbollahut. Në nëntor të vitit 2009, u krijua një qeveri e bashkimit kombëtar me pjesëmarrjen e Hezbollahut. /I.Pu.
KOMENTE