English

Mbetjet Nga Bateritë Dhe Akumulatorët, Shqetësim Për Mjedisin Dhe Për Shëndetin E Njerëzve

TIRANË, 30 Korrik/ATSH-Eriola Çuko/ - Bateritë dhe akumulatorët, si rezultat i shtimit të mjeteve dhe pajisjeve që përdorin ato, përbëjnë aktualisht shqetësim të madh mjedisor, por edhe për vetë shendetin e qytetarëve. Bateritë përmbajnë njëkohësisht dhe lëndë të rrezikshme, ndaj administrimi mjedisor i tyre, me qëllim edhe riciklimin, pritet të sjellë progres në këtë drejtim. Aktualisht, në vend nuk ka një skemë të çertifikuar të grumbullimit dhe trajtimit të baterive pas daljes nga përdorimi. Ndërsa ka shumë subjekte që i grumbullojnë, por kushtet e tyre të ruajtjes nuk përmbushin standardet e nevojshme mjedisore. Nisur nga kjo, Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujrave ka hartuar dhe hedhur për diskutim projekt-vendimin për menaxhimin e këtyre mbetjeve. Ky akt përmban kërkesat e nevojshme për administrimin e baterive dhe akumulatorëve për të përmbushur standardet mjedisore në përputhje me direktivat përkatëse të Bashkimit Europian. Projekt-vendimi ka për qëllim të përcaktojë rregulla për hedhjen në treg të baterive dhe akumulatorëve, të ndalojë hedhjen në treg atyre që përmbajnë substanca të rrezikshme, si dhe të minimizojë ndikimin negativ që kanë në mjedis dhe mbetjet nga bateritë dhe akumulatorët. Gjithashtu, ndër synimet e këtij projekt-vendimi janë të nxisë një nivel të lartë grumbullimi dhe riciklimi të mbetjeve nga bateritë dhe akumulatorët, të përmirësojë performancën mjedisore të baterive dhe akumulatorëve dhe të aktiviteteve të të gjithë operatorëve ekonomik të përfshirë, që nga prodhuesit, shpërndarësit dhe përdoruesit përfundimtar dhe në veçanti ata operator të përfshirë drejtpërsëdrejti në trajtimin dhe riciklimin e mbetjeve nga bateritë dhe akumulatorët, si dhe të pakësojë sasitë e mbetjeve të baterive dhe akumulatorëve që asgjësohen së bashku me mbetje të përziera bashkiake. Pas miratimit, vendimi do të zbatohet për të gjitha llojet e baterive dhe akumulatorëve, pavarësisht formës, volumit, peshës, materialeve përbërës ose përdorimit. Ndërsa, përjashtim bëhet për bateritë dhe akumulatorët e përdorur në pajisjet që lidhen me mbrojtjen e interesave themelore te sigurisë së shtetit, të armëve, municioneve dhe materialeve të luftës, me përjashtim të produkteve që nuk janë parashikuar për qëllime specifike ushtarake, si dhe pajisje të projektuara për t'u nisur në hapësirë (parashikime të Direktivës). /a.ke/
KOMENTE