Meta Takon Në Barcelonë Sekretarin E Përgjithshëm Të Unionit Për Mesdheun
TIRANË, 30 Korrik/ATSH, A.Gegvataj /- Zv. kryeministri dhe ministri i Jashtëm, Ilir Meta, gjatë vizitës së tij zyrtare në Barcelonë u prit sot nga Sekretari i Përgjithshëm i Unionit për Mesdheun (BpM), Ahmad Masa`deh.
Zyra e shtypit e MPJ-së bëri të ditur se zoti Meta theksoi që "Shqipëria është e gatshme të luaj rol aktiv në gjirin e BpM-së".
Për këtë qëllim, sipas deklaratës së ministrisë, "Shqipëria ofron të jetë vendi pritës i takimeve në nivel ministrash, në të gjitha fushat e veprimtarisë, si energji, bujqësi, mjedis, turizëm etj".
"Edhe pse për Shqipërinë përbën prioritet integrimi në strukturat europiane, ajo e sheh angazhimin në BpM-së, si një vlerë të shtuar të politikës sonë të jashtme", tha Meta.
Sekretari i përgjithshëm BpM-së Ahmad Masa`deh, siguroi se "roli dhe kontributi i Shqipërisë janë të mirëpritura e të vlerësuara, në të gjitha nivelet e veprimtarisë së Bashkimit për Mesdheun".
Ai e cilësoi vizitën e ministrit Meta, si shprehje e vullnetit të Shqipërisë, në mbështetje të veprimtarisë së Sekretariatit, por edhe të bashkëpunimit me BpM-në dhe vendet anëtare, si në rrafsh shumëpalësh ashtu edhe dypalësh.
Zoti Meta e ftoi z. Masa`deh për një vizitë zyrtare në Shqipëri./ch/