English

Pakistan - Më Tepër Se 400 Të Vdekur Nga Përmbytjet

PESHAWAR, 30 korrik /ATSH-AFP/ - Autoritetet pakistaneze të Peshawarit njoftuan sot se përmbytjet dhe rrëshqitjet e tokës të shkaktuara nga shirat e rrëmbyeshëm të musoneve kanë shkaktuar më tepër se 400 të vdekur dhe kanë prekur më tepër se 600 000 persona brenda tri ditëve në Pakistan. Qindra shtëpi dhe mijëra hektarë tokë janë përmbytur në veriperëndim të vendit dhe në Kashmir, në veri, rruga kryesore drejt Kinës, është ndërprerë dhe qindra komunitete ndodhen të izoluara. Reshje të paprecedenta që arritën 321 milimetra ranë në Veriperëndim gjatë 36 orëve të fundit, njoftuan shërbimet meteorologjike pakistaneze, të cilat njoftuan për një qetësim të motit në ditët e ardhshme. Provinca Khyber Pakhtunkhwa (dikur Provinca e kufirit Veri-Perëndim, NWFP), ku shumë komunitete të varfëra jetojnë në male, është më e prekura. "Bëhet fjalë për përmbytjet më të rënda që kanë ndodhur ndonjëherë në provincë", theksoi autoriteti provincial i Informacionit, Mian Iftikhar Hussain, gjatë një konference shtypi në Peshawar. "Kemi 408 të vdekur të konfirmuar pas përmbytjeve dhe shirave në provincë", njoftoi ai. Rreth 150 persona konsiderohen të zhdukur dhe ujërat kanë përmbytur rreth 200 kilometra rrugë, shtoi ai. "Të paktën 600 000 persona janë prekur nga përmbytjet dhe numri pritet të rritet sepse niveli i ujit vazhdon të ngrihet në Peshawar, Nowshera dhe Charsada", bëri të ditur ai. Qytetet Swat, Shangla dhe Peshawar kanë mbetur të izoluar nga pjesa tjetër e vendit nga rritja e ujërave. Rreth 2 800 pushues ishin bllokuar në luginën Swat, e mbajtur nga talebanët dhe e rimarrë nën kontroll vitin e kaluar nga ushtria pakistaneze. Përmbytjet kanë goditur gjithashtu Kashmirin pakistanez, që ndodhet në veri të vendit, ku numërohen të paktën 22 të vdekur dhe në Baluçistan, në veriperëndim me 25 të vdekur, shtojnë autoritetet lokale. Bilanci i këtyre tri ditëve përmbytje është tashmë më i rëndë se ai i aksidentit të avionit të linjës që u rrëzua të mërkurën në kodrat që rrethojnë Islamabadin dhe që shkaktoi vdekjen e 152 personave në bord. /I.Pu.
KOMENTE