English

Përmbledhje - Rusi - Zjarre Dhe Viktima, Medvedev Angazhon Ushtrinë

MOSKË, 30 korrik /ATSH-ANSA/ - Të paktën 25 të vdekur në 24 orë, një numër i madh fshatrash në flakë, shqetësimi i presidentit Medvedev që urdhëron ndërhyrjen e ushtrisë dhe ajo e kryeministrit Putin që i kërkon guvernatorëve "të paaftë" të largohen: këto janë efektet e të pazakontës valë të nxehti që ka përfshirë Moskën dhe të gjithë Rusinë perëndimore që prej një muaji, me temperatura që çdo ditë shënojnë rekorde të reja. Në 130 vitet që prej krijimit të qendrës meteorologjike ruse, Moska nuk kishte parë kurrë temperatura si këto të ditëve të fundit. Vapa e madhe po djeg pyjet dhe gjelbërimin, shtëpitë e drunjta dhe po ushqehet nga një erë e fortë dhe përvëluese. Në 24 orë të paktën 25 persona kanë gjetur vdekjen për shkak të zjarreve që përfshinë banesat e tyre në rrethinat e Moskës, të Nizhni Novgorod, Ryazan, Voronesh dhe qytete të tjera të Rusisë qendrore. Presidenti Medvedev i kërkoi sot anëtarëve të qeverisë të shkojnë në zonat më të goditura nga zjarret, për të dërguar ndihma dhe mbi të gjitha për të vlerësuar dëmet dhe për të marrë masat urgjente. I pakënaqur, Medvedev e ngarkoi Ministrinë e Mbrojtjes "për të bërë gjithçka është e mundur për të ndihmuar njerëzit dhe për të shuar zjarret". Ka kërkuar gjithashtu avionë të tjerë për fikjen e zjarreve. Putin, nga ana e tij, shkoi në Nizhni Novgorod, në rajonin më të goditur me nëntë të vdekur brenda një dite të vetme, për të folur me njerëzit, për të mbledhur administratorët lokalë dhe për të kërkuar largimin e guvernatorëve që nuk mund ta përballojnë situatën. Qindra banorë kanë mbetur pa shtëpi, me mijëra të tjerë janë në rrezik. Në fshatin Mokhovoie, në rajonin e Moskës, zjarrfikësit gjetën poshtë gërmallave trupat e gjashtë personave. Humbën edhe një kolegun e tyre, i cili po përpiqej të shuante flakët. Në Voronesh, 500 kilometra në juglindje të Moskës, flakët i morën jetën pesë personave, dhe katër të tjerë humbën jetën rreth Riazanit, 300 kilometra nga kryeqyteti. Ndërsa liderët e qeverisë mendojnë për të gjitha masat që duhen marrë, dita e sotme për Moskën ishte disi më e qetë, me një përmirësim të lehtë të ajrit, të paktën për sa i përket smogut. Por sipas meterologëve kjo është e përkohshme. Pasdite, termometri ka shënuar rritje dhe llogaritet që nga dita e nesërme do të fillojnë sërish rekordet. Madje, disa pohojnë se temperaturat e larta mund të vazhdojnë për të gjithë muajin gusht. /e.v/
KOMENTE