Policia: Ne Fier Arrestohen Dy Mjeke Per Korrupsion, Nje Tjeter Ne Kerkim
TIRANE, 30 Korrik/ATSH-M. Shkurta/. - Drejtoria kundër Krimit Financiar, në bashkëpunim me strukturat e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Fier dhe Njësinë Taks-Force në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Fier, finalizuan me sukses operacionin e koduar "Shkodrani", duke arrestuar ne flagrance Tushe Qalliu, 49 vjeç mjeke dhe Leon Shpataraku 46 vjeç mjek-kirurg, të dy anëtarë të Komisionit të Paaftësisë për Punë, ndërsa eshte shpallur ne kerkim Stavri Furrxhiu, 66 vjeç mjek-neuropsikiatër dhe kryetar i Komisionit të Paaftësisë për Punë.
Burime nga Policia e Shtetit bene te ditur sot per ATSH-ne se, "këta shtetas akuzohen për veprën penale "Korrupsion pasiv nga persona që ushtrojnë funksione publike".
Finalizimi i ketij operacioni u be si rezultat i nje hetimi disamujor, në fokus të të cilit ishte Komisioni i Trajtimit të Aftësive për Punë pranë Drejtorisë së Sigurimeve Shoqërore Qarku Fier.
Te tre këta shtetas, në periudha kohore të ndryshme në bashkëpunim me njëri-tjetrin, duke shfrytëzuar funksionin e tyre, kanë përvetësuar shuma të ndryshme monetare në favor të dhënies së të drejtës për t'u trajtuar si të paaftë për punë nga Drejtoria e Sigurimeve Shoqërore.
Sipas te njejtave burime, materialet procedurale në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Fier për veprime të mëtejshme./n.m/