Tiranë, 30 korrik, NOA – Presidenti i Republikës, dekretoi sot ndryshimet në buxhetin e vitit 2010, i miratuar të hënën në seancën e fundit maratonë, të këtij sesioni legjislativ, vetëm me votat e mazhorancës, 72 vota “pro”, asnjë kundër apo abstenim, ndërsa opozita bojkotoi votimin.
Lajmi u publikua në faqen zyrtare të Presidencës, ku thuhej se Presidenti dekretoi, Shpalljen e ligjit nr. 10 310, datë 26.07.2010 “Për disa ndryshime në ligjin nr. 10 190, datë 26.11.2009 “Për buxhetin e vitit 2010”.
Dekretimi nga Presidenti i buxhetit të rishikuar, që ul shpenzimet e qeverisë, dhe investimet në disa sektorë, vjen pikërisht në një moment kur Partia Demokratike i ka shpallur sulm të hapur, kreut të shtetit, duke e akuzuar atë, si shkelës të kushtetutës, lidhur me mosemërimin e kryetarit të ri të Gjykatës Kushtetuese.
Por, dekretimi i buxhetit vjen edhe pas miratimit të tij, pa pjesëmarrjen e opozitës, e cila denoncoi mazhorancën se shkeli parimet e demokracisë dhe rregulloren e kuvendit, duke mos lejuar deputetët e opozitës, të diskutonin nen për nen ndryshimet në buxhet.
Miratimi i buxhetit, u bë edhe molla e sherrit mes deputetëve të opozitës dhe mazhorancës, duke degjeneruar në grushta dhe sharje mes deputetëve të PS-së, Erion Braçe, e Gjovalin Kadeli me atë të PD-së, Lefter Maliqi.
Mazhoranca e ka mbrojtur rishikimin e buxhetit, me idenë se sjell ruajtjen e stabilitetit ekonomik, pa prekur programin e investimeve dhe as projektet sociale të qeverisë.
mit/NOA