Presidenti Topi Dekreton Ndryshimet Në Ligjin "Për Buxhetin E Vitit 2010"
TIRANË, 30 Korrik/ATSH/.- Presidenti i Republikës, Bamir Topi dekretoi sot shpalljen e ligjit "Për disa ndryshime në ligjin 'Për buxhetin e vitit 2010", i miratuar në Kuvend më 26 korrik.
Ndryshimet në buxhetin e shtetit për këtë vit, të propozuara nga qeveria, parashikojnë shkurtimin e shpenzimeve me 39 miliardë lekë. Sipas ligjit të dekretuar sot zërat që pësojnë ulje janë shpenzimet qeveritare dhe administrative, të cilat janë shkurtuar me 22%.
Ndërkohë, nga rishikimi i buxhetit nuk preken pagat, përkundrazi, niveli i tyre rritet në raport me prodhimin e brendshëm bruto dhe kjo për shkak se është bërë një rritje pagash që shkon në nivelin vjetor rreth 6 miliardë lekë dhe po ashtu nuk preken pensionet të cilat patën një rritje.
Gjithashtu, sot Presidenti i Republikës dekretoi dhe shpalljen e disa ligjeve të tjera të rëndësishme të miratuar javët e fundit nga Kuvendi i Shqipërisë si akti normativ, me fuqinë e ligjit, "Për disa ndryshime në ligjin "Për prokurimin publik", ligji "Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin "Për pajisjen e shtetasve shqiptarë me pasaporta për jashtë shtetit" dhe ligji "Për ratifikimin e "Marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Sllovenisë për shkëmbimin dhe mbrojtjen reciproke të informacionit të klasifikuar"./a.s/f.n/