Sofje, 30 Korrik, NOA – Projekti i Korridorit VIII duket se po ngjall interesimin në zyrat e fqinjëve duke bërë që të riflitet sërish për zbatimin e tij.
Kështu, siç bëhet me dije nga mediat ballkanike, ministri maqedonas i Transportit dhe Lidhjeve, Mile Janakieski ndodhet sot në Sofje për të zhvilluar një takim me kolegun e tij bullgar, Aleksandar Cvetkov.
Bëhet me dijeni paraprakisht se të dy ministrat, do të bisedojnë për çështjen e projektit të përbashkët të Korridorit VIII.
Ideja rreth tij është përfolur në takimet që para dy ditësh, ministri shqiptar i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, ka zhvilluar në Shkup me autoritetet e larta maqedonase, gjatë një vizite zyrtare të ndërmarrë në vendin fqinj.
Duket se projekti i shumëpërfolur para pak vitesh, do të ketë një rizgjim të tij, ku për realizimin e tij janë më të interesuar Maqedonia, Bullgaria dhe Shqipëria.
n.e/NOA