English

Qsut- "Një Botë Për Një Zemër", Një Dhomë Me Lodra Për Pacientët E Vegjël

TIRANË, 30 Korrik/ATSH-Eriola Çuko/ - Pacientët e vegjël të Spitalit Pediatrik në Qendrën Spitalore Universitare "Nënë Tereza" në Tiranë tashmë kanë dhomën e tyre të lodrave, ku do të mund të argëtohen gjatë ditës e duke harruar sado pak sëmundjen e tyre. Kjo sallë me lodra për ta u mundësua falë bashkëpunimit të Shoqatës "Një botë për një zemër", në bashkëpunim me Spitalin Pediatrik në QSUT. "Salla me lodra, e ndërtuar në katin e parë të pavionit ku janë të shtruar fëmijët me probleme kardipatike, u ndërtua brenda disa ditësh, falë mbledhjes së shumë lodrave nga shumë fëmijë, të cilët iu përgjigjen thirrjes sonë që të kontribuonin për bashkëmoshatarët e tyre", tha Presidenti i Shoqatës "Një botë për një zemër", Agim Baçi, duke falenderuar edhe Kompaninë "Digitalb", "Anoil" dhe qendrën "Baby Boom" që pajisën këtë qendër. Prindërit dhe stafi mjekësor e shohin këtë dhomë lodrash si një alternativë që do të mund t'u lehtësojë fëmijëve qëndrimin gjatë ditëve në pavionet e Pediatrisë. Kjo iniciativë u përshëndet dhe nga drejtuesit e QSUT, të cilët theksuan se këta fëmijë kanë nevojë për angazhimin e gjithë shoqëria, por sidomos nga prindër e biznese, që kanë mundësinë të kontribuojnë. /k.sh/
KOMENTE