Tiranë, 30 korrik, NOA – Lideri i opozitës, Edi Rama duke iu referuar krizës së gjithanshme që ka kapur Shqipërinë ditët e fundit, deklaroi se tashmë përditë e më shumë po i mëshon idesë se qeveria duhet të largohet nga pushteti.
Kryesocialisti Rama e bëri këtë deklaratë në takimin e përjavshëm me gazetarët, ku ai theksoi se “Në ditët e fundit ka patur shfaqje të krizës së shtetit, demokracisë, ekonomisë, ndaj, tha Rama, “Besoj, që përditë e më shumë, kjo copë rruge ku gjërat shkojnë përditë e më keq mbaroi, dhe duhet tashmë një rrugë tjetër që të zgjidhë krizën, dhe për këtë duhet ta shohim në sy krizën, për të thënë se kjo qeveri duhet të largohet, pasi do të ketë vetëm përkeqësim të vendit, thjesht dhe vetëm për shkakun e keqqeverisjes”.
“Dua të nënvizoj se kjo javë është karakterizuar nga shfaqja e shëmtuar e krizës së demokracisë, e aprovimit të buxhetit, kriza absurde dhe domethënëse për atë çka përfaqëson ky pushtet me aletatët strategjikë të Shqipërisë, ndaj të cilëve deri në sekondën e fundit u mbajt qëndrim i turpshëm, si dhe ajo ndaj presidentit, gjuha e përdorur kundër tij, që tregon këtë pushtet, që nuk mund të rrijë në këmbë pa nënshtruar gjithçka, gjë që s’do arrijë dot ta bëjnë, pasi sot kjo është e qartë në sytë e shqiptarëve, dhe ky problem duhet të zgjidhet pasi është një pengesë drejt integrimit të Shqipërisë”, deklaroi Rama.“Ka kaluar buxheti i rishikuar, dhe kaloi duke shfaqur edhe në procesin e aprovimit krizën e rëndë të demokracisë, që e manifestoi vetë parlamenti, ku u bë e qartë se s’ka më asnjë minimum etik. Kaloi i pashikuar nen për nen, si asnjëherë gjatë periudhës së tranzicionit, dhe është tërësisht i pamjaftueshëm për të përballuar krizën”, nënvizoi kryesocialisti Rama.
Sipas Ramës, kriza e ka vënë përposhtë vendin, dhe qeveria i ka shkuar mbrapa, por ky buxhet është pranimi më kuptimplotë se kriza e thellë ka prekur ekonominë tonë.
Duke iu referuar luftës së hapur të PD-së me Presidentin, lideri i opozitës, Rama, theksoi se “këto ditë kanë shfaqur edhe një tjetër krizë, atë me Presidentin e Republikës, në formën e një kërkese aspak etike, të adresuar si akuzë ndaj presidentit për gjoja shkeljen e Kushtetutës dhe bllokimin e Gjykatës Kushtetuese, që sot është në këtë derenxhe për faj të atyre që akuzojnë, mbi familjet e pushtetit të vjetër, dhe që gjatë gjithë vitit kanë trajtuar se arsyeja e vjedhjes së votave të 28 qershorit, ishte vullneti i mbrapshtë për të marrë çdo gjë, duke gjynjëzuar shtetin shqiptar, të gjitha institucionet kushtetuese të vendit, me rrugë abuzive, antidemokratike, thjesht dhe vetëm për një pushtet interesash të mbledhura te një grusht njerëzish”.
Duke iu përgjigjur pyetjes nëse PS, mendon si PD se Presidenti ka shkelur kushtetutën e vendit, Rama përmendi shprehjen e Konicës, “Më vjen një i përpmbajtur gaz, duke shtuar se “është krejt humbje kohe, që t’i hyjmë një diskutimi të tillë, pasi ata që akuzojnë Presidentin çdo ditë nga mëngjesi në mbrëmje shkelin me të dyja këmbët kushtetutën.
“Këto ditë kanë prekur edhe aspektin e krizës së demokracisë, mungesën e vullnetit për të respektuar normat e bashkëpunimit me NATO-n, pasi mazhoranca kërkon të vërë nën kontroll edhe shërbimet sekrete, duke nënkuptuar se interesa të errëta qëndrojnë pas, që fatkeqësisht mishërohen dhe përfaqësohen nga kryeministri i vendit”, theksoi lideri i Opozitës, Edi Rama.
Sipas Ramës, kriza po kufizon mundësinë e shqiptarëve për të jetuar, veçanërisht pensionistët që po të mos kenë të ardhurat nga fëmijët emigrantë s’e shtyjnë dot muajin.
“Jemi në kushtet ku manipulohen të dhënat e ekonomisë, ku në gojën e kryeministrit ato shpallen si lulëzim, ndërsa në tryezat e familjeve shqiptare si mjerim, e në bilancet e bizneseve si rrënim”, tha Rama.
Rama nënvizoi ndërkaq se “Përballë kësaj situate sot më shumë se kurrë Shqipëria ka nevojë për një shtet, për të parë me kurajo një rrugë të re, dhe për tu ndarë me guxim nga ky pushtet, që pasi vodhi zgjedhjet po i humbet shqiptarëve çdo vlerë, vende pune”.
Rama këmbënguli edhe njëherë se “Arësyeja e kësaj krize të gjithanshme është mbrapshtia e pushtetit, sepse po të mos abuzohej me të, vetëm duke llogaritur të gjitha rrogat dhe pensionet sot mund të ishin rritur 20 përqind”.
Sipas Ramës, ka një copë Shqipërie që sot lulëzon, siç nuk ndodh askund, dhe ajo është copa ku jetojnë oborrtarët e kryeministrit, oborrtarë që sipas kryesocialistit Rama nuk paguajnë tatimet, dhe nën sqetullën e kryeministrit të turren rrugaçërisht vetëm pse u nxjerr përballë faktet”, duke iu referuar akuzave ndaj tij të ministrit të korruptuar Dritan Prifti.
Rama evidentoi se “50 mijë njerëz kanë humbur punën vetëm në fushën e fasoneve, janë të panumërueshme humbjet e vendeve të punës, kur brenda vitit janë humbur më shumë se 100 mijë vende pune”.
I pyetur për negociatat me PD-në, për komisionin hetimor të zgjedhjeve, Rama tha se “negociatat bëhen gjithnjë me armikun, por kjo s’do të thotë që ne ndryshojmë mendimin për qeverinë, por nënkupton të bëjmë çka mundim për të ulur sadopak koston e kësaj krizë, por nëse nga ana tjetër ka shurdhëri, ky nuk është fai ynë”, nënvizoi Rama.
Ai garantoi sakaq se PD dhe mazhoranca ta harrojnë se do të përsërisin Ruzhdijen në zgjedhjet e ardhshme”, duke nënvizuar se opozita do të marrë pjesë në zgjedhjet lokale.
Rama nënvizoi se kur opozita të rikthehet në pushtet do të anullojë të tëra gjobat ndaj medias, duke theksuar se kërkimin e largimit të kësaj mazhorance nga pushteti opozita e ka bërë tërë këtë vit me protestat e vazhdueshme.
Në përfundim të takimit me gazetarët lideri i opozitës Edi Rama la të nënkuptojë se për PS-në, shtatori do të jetë i ngjeshur politikisht, pasi Rama e mbylli me këto fjalë këtë takim të përjavshëm: “Mundohuni të pushoni mirë se në shtator do keni shumë punë”.
mit/NOA