Shkodër, 30 korrik, NOA – Asgjësohen në komunën Pult të Shkodrës, 1550 rrënjë bimë Cannabis Sattiva, në pranga dy inspektorë të policisë pyjore dhe kryeplak i fshatit.
Burime nga policia e Shkodrës njoftuan se mbrëmë në orën 22.00, policia e Shkodrës ka finalizuar një operacion për luftën kundër kultivimit të lëndëve narkotike, duke arrestuar 52 vjeçarin Gjergj Prozhmi, inspektor i Policisë Pyjore, në zonën e Komunës Pult; 41 vjeçarin Gëzim Hagrepi, nga fshati Domen, i Komunës Postribë, edhe ky inspektor i Policisë Pyjore në komunën Pult si dhe kryeplakun e këtij fshati, 53 vjeçarin, Mëhill Demaj, nga fshati Bruçaj i kësaj komune.
Arrestimi i tre personave u bë pasi në vendin e quajtur Lugina e Qutit, në fshatin Bruçaj, të komunës së Pultit, u konstatuan nga policia gjatë kontrollit të ushtruar në parcelat e mbjella, plot 1550 rrënjë bimë narkotike, e dyshuar si Cannabis Sattiva.
Bimët e sekuestruara u asgjësuan në prani të forcave të policisë me djegie.
Dy inspektorët e policisë pyjore, të cilët mbulojnë këtë zonë si dhe kryeplaku i fshatit Bruçaj, nuk kanë informuar në lidhje me kultivimin e këtyre bimëve.
Policia tashmë ka kryer hetimet dhe çështja kundër tre të arrestuarëve i ka kaluar për ndjekje prokurorisë së Shkodrës, e cila po i procedon tre personat e lartpërmendur, për veprat penale, të moskallëzimit të krimit dhe kultivimit të lëndëve narkotike.
mit/NOA