English

Si Mund Të Përfitojnë Emigrantët Nga Shërbimi Shëndetësor Shqiptar

TIRANË, 30 Korrik/ATSH-Eriola Çuko/ - Shtetasit shqiptarë që jetojnë e punojnë jashtë vendit mund të përfitojnë nga shërbimi shëndetësor kur kthehen në vend, kundrejt përmbushjes së kërkesave ligjore për përcaktimin e mjekut të familjes dhe për sigurimin e tyre pranë organeve përkatëse, si dhe duke zbatuar rregullat e sistemit të referimit. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, çdo emigrant në momentin që kthehet në Shqipëri duhet të plotësojë kriteret e përcaktuara në Ligjin Nr. 7870, datë 13.10.1994, "Për sigurimet shëndetësore në Republikën e Shqipërisë", i ndryshuar. Kështu, personi duhet të zgjedhë mjekun e familjes, i cili i hap kartelën personale dhe bën regjistrimin e tij në regjistrin themeltar të banorëve që mbulon me shërbim shëndetësor ky mjek. Po kështu, personi i interesuar duhet të saktësojë statusin e tij sipas Ligjit të Sigurimeve Shëndetësore, nëpërmjet paraqitjes së dokumentacionit për përcaktimin e kategorinë sipas ligjit për të përfituar nga Skema e Sigurimeve Shëndetësore në vend, apo nëpërmjet sigurimit vullnetar. Të gjithë emigrantët duhet të paraqesin librezën e punës (i siguruar aktiv kur është i punësuar), vërtetimin nga Zyra e Punës (kur është i regjistruar si punëkërkues), vërtetimi i asistencës kur është në asistencë, vërtetimi i ndihmës ekonomike, libreza e pensionit kur ka dalë në pension, vërtetimi përkatës nga Komisioni Epror Mjekësor (KEMP) kur ka ndonjë sëmundje invaliduese, çertifikata për fëmijët e moshës 0-16 vjec, etj. (sipas ligjit fëmijët 0-16 janë të siguruar sepse përfshihen në kategoritë pasive që shteti paguan). Ndërsa, për ata që nuk e gjejnë veten në kategoritë e mësipërme, Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor (ISKSH) ofron sigurimin vullnetar. Pagesa për sigurimin shëndetësor është 3.4 % e pagës minimale për efekt siguracioni të përcaktuar me Vendim të Këshillit të Ministrave, ndërsa shuma në momentin fillestar përfshin periudhën 1 vit përpara datës së siguracionit dhe është e vlefshme edhe për 3 muajt pasardhës. Pas kësaj procedure, personat përfshihen menjëherë në skemë dhe si hap i fundit është pajisja me librezën e shëndetit për të përfituar nga skema e sigurimeve të kujdesit shëndetësor, duke respektuar sistemin e referimit. Zbatimi i sistemit të referimit nga niveli më i ulët në nivelin me të lartë lehtëson marrjen e shërbimit bazë dhe atë të kualifikuar në mënyrë të barabartë në institucionet e duhura dhe në kohën e duhur, vlerëson MSH. Po kështu, zbatimi i këtij sistemi shmang marrëdhënien financiare të drejtpërdrejtë midis qytetarit dhe mjekut (mitmarrjen). MSH sqaron se të gjithë pacientët e referuar kalojnë nga mjeku i familjes, specialisti në poliklinikë, spitali i rrethit, ai rajonal dhe më pas në spitalin universitar, duke pasur në mënyrë të detyrueshme rekomandimin e mjekut, librezën e shëndetit dhe një dokument të identifikimit. Pacientët që nuk kanë këto dokumente, paguajnë tarifën e parashikuar për aktin mjekësor që do të kryejnë. /a.ke/
KOMENTE