Sport-Futboll/ Struktura E Kampionatit, Dilema E Fundit E Fshf-Së Përpara Nisjes Së Sezonit Të Ri
TIRANË, 30 Korrik/ ATSH- Gjergji Mima/ - Dilema më e madhe e sezonit të ri futbollistik, që nis më 15 gusht me Superkupën e Shqipërisë, Dinamo - Besa, mbetet struktura e kampionatit për sezonin 2011-2012. Kanë kaluar më shumë se dy javë që kur mbledhja e klubeve depozitoi kërkesën për ndryshimin e strukturës së superiores nga 12 në 14 skuadra, por deri tani Komiteti Ekzekutiv nuk është mbledhur për të marrë një vendim përfundimtar.
Një nga arsyet është sezoni veror, kur dihet që zyrtarët marrin pushimet për t'iu rikthyer punës pas të paktën dy javësh. Në federatë ka qenë i pranishëm presidenti Armand Duka, që ka zhvilluar një mbledhje me drejtuesit e tjerë të lartë, ku është diskutuar për ristrukturimin e FSHF-së.
Presidenti Duka ka dhënë udhëzimet përkatëse, pasi pritet të mos jetë në Shqipëri deri mesjavën e ardhshme. Burime pranë FSHF-së thonë se mbledhja e radhës e Ekzekutivit, ku temë kryesore për diskutim do të jetë struktura e kampionatit, do të mbahet në javën e parë të gushtit.
Shumica e klubeve të Superligës ka rënë dakord që sezonin e ardhshëm kampionati i Kategorisë Superiore të bëhet me 14 skuadra, pra të shtohen edhe dy ekipe të tjera. Në fakt kjo ide u hodh pasi ra poshtë kërkesa për ta bërë kampionatin me 16 skuadra. Tashmë i mbetet Komitetit Ekzekutiv në dorë të vendosë nëse skema e kampionatit të ardhshëm do të ndryshojë.
Nëse vendimi do të jetë pro ndryshimit me 14, Komiteti duhet të vendosë edhe për ndryshimin e numrit të skuadrave, që do të bien dhe do të ngjiten nga superiorja. Klubet kanë propozuar që për ta bërë kampionatin me 14 skuadra duhet të zbresë direkt nga kategoria vetëm një skuadër e të ngjiten direkt tri, ndërsa e 11-ta e superiores duhet të zhvillojë një ndeshje shtesë me të katërtën e kategorisë së parë, për të përcaktuar skuadrën e 14-të.
Një temë tjetër e mprehtë për t'u diskutuar mbetet faza e tretë e superiores për sezonin aktual. Mbledhja e klubeve ka propozuar që në përfundim të fazës së dytë, skuadrat e superiores të ndahen në dy grupe me nga gjashtë skuadra. Gjashtë skuadrat e para luajnë për titullin, ndërsa gjashtë të dytat për të mos rënë nga kategoria. Të gjitha dilemat e sezonit pritet të zgjidhen mesjavën që vjen, pasi Ekzekutivi të marrë vendimin përfundimtar. /a.ke/